Rama shkoi në SHBA për Pfizer, mjeku Domi: Amerika nuk lejon të dalë asnjë vaksinë që prodhohet në territorin e saj

Ndërsa kryeministri Rama udhëtoi drejt SHBA-së për të negociuar direkt me bosin e Pfizer për vaksinën anti-Covid, virologu Arban Domi thotë se duhet kuptuar që nuk ka vaksina të tepërta.

Në një lidhje me skype nga SHBA për emisionin “Tempora” në Rtv Ora, drejtor i Zhvillimit të vaksinës GeoVax në Atlanta thotë se Amerika nuk do të lejojë daljen e asnjë vaksine nga  Moderna  apo Pfizer-BioNTech që prodhohet në SHBA.

E njëjta situatë është edhe për Bashkimin Europian që e ka parablerë.

Domi: Më të avancuarat janë katër vaksina.  Dy vaksina që ka filluar imunizimi, Moderna dhe Pfizer-BioNTech. Duhet të jemi koshient, jo vetëm që jemi popull jo shumë i zhvilluar nga ana ekonomike por edhe i vogël, nuk ka vaksina të tepërta. Vaksinat janë marrë tashmë, janë paguar. Në momentin që dalin nga fabrika dihen paraprakisht ku do të shkojnë. Në rastet e prodhimit në Amerikë është e pamundur të nxirren çfarë prodhon Moderna dhe Pfizer të dalin jashtë Amerikës, gjithçka do të përdoret në Amerikë. E ngjashme është edhe me Europën sepse Europa e ka parablerë. Kjo jo vetëm për faktin se shtetet europiane dhe qeveria amerikane kanë investuar miliarda dollarë për zhvillimin e vaksinës por edhe ana praktike, gjepolitike që kanë.

AstraZeneca shihet si më e kapshme për Shqipërinë përmes programit COVAX. Të tjera kompani që kanë kontrata me këtë të fundit nuk kanë prodhuar ende vaksina.

Domi: Dy vaksinat e tjera që shpresoj të jenë afër përfundimit janë AstraZeneca dhe Johnson & Johnson. AstraZeneca ishte planifikuar për në fund të dhjetorit, për dy rezultate jo shumë të kënaqshme në testet klinike mendojnë të arrijnë aprovimin nga qeveria britanike nga fillimi i janarit. Dje AstraZeneca ka bërë një marrëveshje me prodhuesin rus të vaksinës që të bëjnë një studim klinik ku ti bashkojnë vaksinat e tyre, vaksinimi i parë të bëhet me AstraZeneca dhe i dyti me vaksinën ruse. Moderna e ka 28 ditë kurse Pfizer e ka 21 ditë. Efektshmëria më e sigurt është dy javë pas vaksinimit të dytë. AstraZeneca nuk ka për të qenë e gatshme përpara marsit në rastin më të mirë për publikun e gjerë dhe është e vetmja kompani potencialisht e favorshme për vende si Shqipëria sepse kanë kontratë për 300-400 mln doza me COVAX. Kontrata tjetër është Glaxo,Novavax dhe Sanofi, që nuk mund të mbarojnë testet klinike para fundit të tremujorit të vitit tjetër.