Veliaj 30 mln lekë për fishekzjarre, Këlliçi: Bukë dhe cirk me hallet pirg
Edhe pse Shqipëria u prek jo pak nga kriza ekonomike, edhe për shkak të pandemisë Covid-19, bashkia e Tiranës dhe kryetari i saj Erion Veliaj vijojnë të shpenzojnë shumë të mëdha parash për propagandë dhe show.
Sipas asaj që denoncon kreu i FRPD, Belind Këlliçi, vetëm për festën e fishekzjarreve më 31 dhjetor Bashkia ka shpenzuar 30 milionë lekë, 10 më shumë se një vit më parë.
"Kujt i ra halli për pjesë le të presë. Administrata e bashkisë do dalë familjarisht në shesh të tundë dynjanë. Bukë dhe cirk me hallet pirg", shkruan ndër të tjera Këlliçi.
Belind Këlliçi: Kush tha që s'kemi shkop magjik? 30 milionë lekë për fishekzjarre vetëm Tirana!
10 milionë lekë më shumë se vitin e kaluar!
Përse? Se duhen xixa, hare, gëzim.
Paçka se mjekët po na ikin njëri mbas tjetrit nga mungesa e mjeteve mbrojtëse spitalore. Punë tjetër se shqiptarët s'marrin asnjë kacidhe nga shteti për të përballuar shpenzimet e kurës anti-Covid. Po bizneseve që vunë kyçin se falimentuan, u dha kush para për të mbrojtur vendet e punës?
Sa banorë të prekur nga tërmeti ka vetëm në Tiranë që paguajnë qira për të futur kokën. Ka pallate që duhen shembur e janë ende në këmbë. Po kush do t'ia dijë?
Shokët e komitetit ekzekutiv të Tiranës me kryefirmëtarin Erion Veliaj do na dhurojnë një shfaqje elektrizuese që të harrojmë.
Kujt i ra halli për pjesë le të presë. Administrata e bashkisë do dalë familjarisht në shesh të tundë dynjanë.
Bukë dhe cirk me hallet pirg.
