Mutacioni i ri i Covid u identifikua që në shtator, mjekët të surprizuar nga zhurma, Shapo: Anglisë i mbeti "dopio gjashta" në dorë
I ashtuquajturi varianti i ri anglez i koronavirusit ka vënën në alarm mbarë Europën.
Por ekspertët e shëndetit shprehen jo pak të habitur se pse ky lajm mori përmasat e panikut vetëm ditët e fundit në një kohë që ai ishte identifikuar që në shtator të këtij viti.
Për "Tempora" në Rtv Ora hodhën më shumë dritë ndaj kësaj situate eksperti i Shëndetit Publik në Londër, Leidon Shapo dhe Arban Domi, drejtor i Zhvillimit të vaksinës GeoVax në Atlanta, virolog i njohur.
Leidon Shapo: Rreth mesit të shtatorit u pa një grumbullim i pazakontë i rasteve nga Covid 19 në grupmoshat e reja në Kent fillimisht dhe pastaj u përcoll drejt Londrës ku u prek Anglia jugore dhe juglindore. Shumë i referohen si varianti i ri anglez, unë jam kundër kësaj. U pa që përmes sekuencës genetike u pa që kishim të bënim me një shtam të ri. Ju vu një emër i ri SARS-CoV-2 VUI 202012/01 (“Variant Under Investigation”, viti 2020, muaji 12, varianti 01), i cili u pa që brenda një kohe jashtëzakonisht të shkurtër arriti të infektojë 60% të popullatës dhe jo vetëm në Londër tashmë por edhe gjetkë. Kemi raste në Skoci dhe Uells. Është parë dhe vërtetuar që ky është një shtam mjaft i adaptuar. Është 50-70% më përhapës dhe kjo është me të dhëna shkencore. Por në të njëjtën kohë nuk ka të dhëna për rritje të vdekshmërisë, virulencës së tij, por na ka rritur numrin e hospitalizimeve në shtretërit akut. Por dua të shpjegoj pse emri nuk duhet të jetë shtami londinez. Një grup shkencëtarësh amerikane dhe belgë janë duke punuar dhe shprehur që në rast se Anglia nuk do të kishte këtë qendër fantastike të bërjes së sekuencave genetike ky mutacion është parë dhe në Afrikën e Jugut, Brazil dhe Amerikë. Duke qenë se ata nuk kanë këto kapacitete, na ngeli ne dopio gjashta.
Artan Domi: Është çudi për ne që merremi me kërkimet për koronën që ky lajm doli vetëm dy ditë përpara me një bujë shumë të madhe, ky mutacion është vërejtur që në shtator të këtij viti dhe në fillim të dhjetorit qeveria britanike ishte mëse e informuar që të paktën 20% e popullatës në zonën e Londrës paraqisnin këtë mutacion. Nga ana kërkimore nuk është asgjë e re kjo që u propagandua nga shtypi para dy ditësh. Ka dy faza të evolumit të një virusi, faza e parë tendenca për të bërë mutacione dhe faza e dytë përshtatja me sistemin imunitar.