“Asnjë konflikt. Përveç vëllait që punon me “Shqiponjat” flasin familjarët pas sulmit me armë ndaj lokalit në Shkodër
Vlash Pjetri, vëllai i efektivitit të Shqiponjave në Shkodër, Alfred Pjetri, ndaj lokalit të të cilit u qëllua me breshëri armësh, në një deklaratë për mediat është shprehur se nuk kanë dijeni si familje se nga kush dhe pse ka ardhur sulmi.
Sipas tij, i cili ka qenë për rreth 5 vjet administrator i Njësisë Administrative Rrethina, familja e tyre nuk ka patur konflikt me askënd dhe pret që ngjarja të zbardhet nga organet e drejtësisë.
“Asnjë konflikt. Përveç vëllait që punon me “Shqiponjat”. Dihet puna e tyre, është pak punë që... Ndoshta mund të pretendoj ndokush që ka patur konflikte. Për pjesën tjetër të vëllezërve që punojnë si te lokali këtu, si te lokali tjetër në Bahçallëk nuk kemi pasur konflikt absolutisht me askënd.
Unë për shkak të detyrës, që kam qenë administrator i Rrethina për rreth 5 vjet, 4 vjet e 8 muaj, absolutisht asgjë nuk kemi patur me askënd. Tani ia lemë në dorë organeve hetimore. Nuk mund të akuzosh njeri kur nuk ke fakte, argumente”, u shpreh ndër të tjera Pjetri.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme në lagjen Dobraç, ndërsa në ndihmë të policisë kanë ardhur kamerat e sigurisë të bizneseve përreth, raporton Ora News.
Lexo edhe: Detaje/ Qëlluan ndaj lokalit të policit në Shkodër, shpallen në kërkim 4 persona
Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja, ndërsa një prej plumbave ka prekur edhe një automjet të parkuar pranë lokalit.
Dy vëllezërit Pjetri janë pjesë e Policisë së Shtetit, ndërsa vëllai i tretë ka qenë ish administratori i Njësisë Administrative Rrethina.
Për ngjarjen policia ka shpallur në kërkim 4 persona, ndërsa nuk dihen ende motivet e ngjarjes.
/a.r,OraNews/