Shfryhet dosja “Bajri”, lirohen të gjithë të ndaluarit me bujë prej OFL në 2018
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër i ka dhënë fund shqyrtimit gjyqësor të një prej dosjeve më të përfolura dhe të trumbetuara me aq bujë në vjeshtën e vitit 2018, si një nga operacionet e para të “Forcës së Ligjit"
Pas shqyrtimit të dosjes Astmer Bilali është dënuar me 3 vite burg për shkak se u akuzua dhe për ndërtim të paligjshëm, ndërsa Safet Bajri, me 2 vite e gjashtë muaj burg, për shkak se ka qëndruar në qeli prej shtatorit të vitit 2018 ai është lënë i lirë.
Dy vite më parë, pas përfundimit të operacionit në Shkodër, Tiranë dhe në shtete të tjera, drejtori i policisë dhe në atë kohë kreu i krimeve të rënda Donika Prela e cilësuan një tjetër sukses.
“Prokuroria për Krimet e Rënda në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshmë të Shtetit, në kuadër të strukturës taskforcë speciale ka finalizuar me sukses operacionin “Oaz”, ka finalizuar me sukses operacioni për arrestimin e 11 shtetasve në Tiranë, Shkodër dhe Roterdam dhe janë shpallur në kërkim dy persona të tjerë” do deklaronte prokurorja Donika Prela në shtator 2018 në kohën kur u publikuan detajet e operacionit.
Ndërsa Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu po atë kohë do shprehej: “Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë: Vrasje me dashje e mbetur në tentativ në bashkëpunim, vrasje me dashje në bashkëpunim, prodhim dhe armëmbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake, organizim i lotarive të pa lejuara, pastrim i produkteve të veprës penale të kryer në bashkpunim, kanosje me armë, përkrahje e autorit të krimit, moskallëzim krimi, prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike, vepra penale këto të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal"
Por akuzat tashmë kanë mbetur vetëm armëmbajtje pa leje, organizim i lotarive dhe paracaktimi i rezultateve të ndeshjeve sportive. Pas dëgjimit të prokurorëve dhe mbrojtësve togat e zeza kanë dhënë edhe vendime me 1 vit e gjysëm burg dhe deri në dy muaj, kjo për shkak se të akuzuarit në nisje të procesit kërkuan gjykim të shkurtuar.
Dosja fillimisht u dërgua në SPAK me akuzën e grupit të strukturuar kriminal, por provat u dukën të pamjaftueshme duke e dërguar në shkurt të vitit 2020 në Shkodër, pingpongu mes gjykatave vazhdoi edhe më tej, kur i’u kërkua dhe mendim gjykatës së lartë për kompetenca, e duke u mbyllur sot me lënien të lirë të të akuzuarve.