Basha: Qytetarët duan një qeveri që nuk merret me Instagramin, por me mposhtjen e pandemisë

Kreu i PD, Lulzim Basha është takuar me një pronar të një biznesi të vogël në Tiranë për t’u njohur me shqetësimet dhe problemet. Gjok Bunaj i është ankuar Bashës se tashmë biznesin e tij e konsideron të falimentuar me pasojat e pandemisë pasi nuk ka xhiro teksa paguan tatime ditë për ditë.

Biznesi i Gjok Bunaj,  një shtypshkronjë e vogël prej me shumë se një viti nuk ka asnjë xhiro për shkak të grevës së studenteve, tërmetit dhe pandemisë. Edhe pse të ardhurat janë zero, ai thotë se taksat vazhdon ti paguajë të njëjtat ndërsa sipas tij nuk ka asnjë ndihmë nga qeveria.

Bunaj: Kam falimentuar. Letrat dhe tatimet vijnë përditë. Ku t'i paguaj tatimet se unë nuk kam lekë se po të kisha do i paguaja. Në tetor ranë këto grevat e studentëve, ranë tërmetet, pandemia. Pandemia e mbylli komplet nuk ka qarkullim.

Lulzim Basha, tha se  biznesi shqiptar ka kreditimin më të ulët në Ballkan, ndërsa në 7 vitet e qeverisjes së PD-së,  klima është përkeqësuar ndjeshëm.

Basha: U bë 7 vite ky muhabet, 7 vite ekonomia nuk ka kreditim, ka kreditimin më të ulët. Dolën shifrat e FMN-së, ka kreditimin më të ulët Shqipëria nga të gjithë vendet e Ballkanit. Ekonomia është në krizë, kur ekonominë e ke në krizë, kur bizneset i ke në falimentim, sigurisht që nuk jep as ndihmë për njerëzit dhe i ka lënë dhe njerëzit në pikë të hallit.

Basha, tha se vendit duhet ti rikthehet shpresa, dhe hapi i parë sipas tij është ndryshimi i këtij sistemi.

Basha: Të kemi të gjithë bashkë dhe do ta mposhtim këtë te keqe. Dhe të keni një qeveri që të punojë për njerëzit , të keni një qeveri që punon për sipërmarrjet, për qytetarët që kanë nevojë për ndihmë, t'i japim ndihmë financiare çdo familje shqiptare dhe të ndihmojmë biznesin që të dalë nga kjo krizë.

Basha tha se qytetarët shqiptarë, duan një qeveri që nuk merret me Instagramin gjithë ditën, por me mposhtjen e pandemisë dhe përmirësimin e ekonomisë.