Në burg për vjedhjen e 12 mijë lekëve, kuksiani vetëvaret me çarçaf/ ILD procedon prokuroren

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë reagon lidhur me ngjarjen e shkurtit të këtij viti, kur në qelitë e paraburgimit te “313”-ta do ti jepte fund jetës duke u vetëvarur Bilbil Hasani.

43-vjeçar nga Kukësi u gjend i vetëvarur me çarçaf në tualet nga gardianët.  Ai ishte në masë sigurie "arrest me burg", pasi në vitin 2019 ishte arrestuar për vjedhje të 12 mijë lekëve të vjetra.

Për këtë arsye, pas rreth 8 muajsh, ILD ka kërkuar procedim disiplinor për prokuroren e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, E.K.

SQARIM I INSPEKTORIT TE LARTE TE DREJTESISE MBI RASTIN E TE NDJERIT BILBIL HASANI

Në përgjigje të interesimit të gazetarëve mbi arsyet e procedimit disiplinor të kërkuar për prokuroren e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, E.K., Inspektori i Lartë I Drejtësisë sqaron se hetimi ka nisur pas publikimit në media të vetëvrasjes së të ndaluarit Bilbil Hasani, në paraburgimin e 313. Pas përfundimit të hetimit, ILD i paraqiti Këshillit të Lartë të Prokurorisë kërkesë për procedim disiplinor ndaj magjistrates dhe propozoi masën “Vërejtje publike”, bazuar në gjetjet se magjistratja nuk ndërmori asnjë veprim për të verifikuar gjendjen shëndetësore të të ndaluarit, edhe pse u paraqit një vlerësim mjekësor, se personi vuan nga sëmundje e llojit “Skizofreni tipi Paranoid“.

Për një rast të tillë, Kodi i Procedurës Penale (nenet 43, 182, 259, 327/6 shkronja a, 328/1 dhe 329/a) e detyron prokurorin të kryejë një sërë veprimesh proceduriale, përfshi këtu edhe verifikimin e gjendjes mendore të të pandehurit.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është në pritje të vendimit të arsyetuar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë për këtë rast, për të vendosur mbi hapat e mëtejshëm.