Tempora - Drama sociale tek Astiri, banorët humbën shtëpitë dhe të ardhurat
Pamja është e trishtë në aksin e unazës së madhe që prek zonën e Astirit.
Tempora u rikthye të shikojë atë çka ka lënë pas ndërhyrja e shtetit shqiptar pas shembjes së shtëpive dhe bizneseve, me qëllim ndërtimin e Unazës së Madhe.
Banorët i takojmë buzë rrënojave, aty ku ata kishin hedhur mundin dhe djersën e një jete.
Sheh drama, lot, varfëri dhe papunësi. Ndërsa kjo zonjë me lot në sy është 65 vjeçe, e vendosur prej dekadash në këtë zone, por sot thotë se ndihet e humbur.
Nuk kishin asnjë shpresë, drama që po përjetonin solli emigrimin e fëmijëve të zonjës.
Vuajtjet e një nënë, e një zonjë të moshuar janë të mëdha, edhe në kohë pandemie kur i është dashur të lërë shtëpinë e ti drejtohet gjykatave.
Këta banorë kanë protestuar për rreth 400 ditë kundër shembjes së pronave të tyre, sot vijnë në një rrëfim ndryshe, në një rrëfim jete.
Është përndjekur politikisht thotë zoti Kastrati ndërsa të afërmit kanë qenë “streha” e vetme për të jetuar.
Prej 6 vitesh fëmijët në moshë të mitur i ka larguar nga vendi. Me zërin që i dridhet Ilir Katiraj na rrëfen se ata nuk do të kthehen më.
Ilir Katiraj është një personazh që bëri jo pak zhurmë kur tentoi të godiste me këpucë kryeministrin Rama pas një proteste.
Por ky proces jo vetëm e ka ndëshkuar penalisht, por i ka kushtuar të vetmin burim të të ardhurave.
