Hemodializa dhe rreziku i Covid, pacientët akuza qendrës në Korçë: 4 ditë pa shërbim
Një grup pacientësh denoncuan në media mëngjesin e së martës së prej 4 ditësh nuk po merrnin shërbimin e dializës pasi ishin kontakte të një personi të konfirmuar me koronavirus. Por Qendra e Dializës në Korçë, sqaroi se atyre u ishte dhënë një orar tjetër për të mos rrezikuar të gjithë pacientet.
Disa pacientë denoncuan mëngjesin e së martës se nuk po merrnin shërbimin e Dializës në qendrën e posaçme pranë Spitalit të Korçës.
Ata u ankuan për një vonesë 4 ditore, në një kohë kur sipas protokollit duhet ta marrin shërbimin çdo 48 orë.
Ndërsa shkak për vonesën e pretenduar thanë se është bërë konfirmimi i një pacienti me koronavirus.
"Protokolli përmban se çdo 48 orë duhet të futemi në dializë. Ne kemi këtu mbi 80 orë. Mua po më bie tensioni."
Akuza kishin për vonesa në marrjen e tamponëve dhe respektimin e masave anti Covid nga vetë bluzat e bardha.
"I ka dalë pozitiv dhe ajo futet pa maskë. Sot u futën 6 pacientë dhe bëhen me vonesë, pa matje temperature. Tamponë nuk po na bëjnë, dializë jo."
Qendra e Dializës në Korçë në një reagim për situatën sqaroi se shërbimi nuk është ndërprerë për asnjë pacient në asnjë moment.
Ata sqaruan se për shkak se grupi ka qenë në kontakt me një pacient tashmë të konfirmuar me Covid, atyre u është rezervuar një orar i posaçëm për të shmangur rrezikun e infektimit.
"Nëse këta pacientë do t'i fusim me pacientët e tjerë dhe nëse dikush është pozitiv, atëherë do të rrezikojmë pacientët e tjerë."
"Sot ata kanë ditën e dializës, nëse vonohen disa orë bëhet për të shmangur funksionet e tjera."
Hemodializa është një shërbim jetik për personat që kanë probleme të rënda me funksiononim e veshkave.