Vehap Kola: Prishja e marrëveshjes së 5 qershorit oguri për mos hapjen e negociatave për Shqipërinë
Sot Brukseli duhet të miratonte udhërrëfyesin e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për t'i hapur rrugë mbajtjes së konferencë së parë ndërqeveritare. Por procesi ka mbetur sërish peng. Bullgaria mban peng anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE, për shkak të mosmarrëveshjeve midis saj dhe Shkupit mbi gjuhën dhe historinë maqedonase.
I ftuar në një intervistë në RTV Ora analisti Vehap Kola u shpreh se ishte e kuptueshme që negociatat për Shqipërinë nuk do të hapeshin pas prishjes së marrëveshjes së 5 qershorit nga ana e mazhorancës. Ai tha se me prishjen e marrëveshjes së 5 qershorit u shkel një nga kushtet e BE për hapjen e negociatave.
Kola: Qëndrimet për Shqipërinë kanë qenë shumë më të ashpra dhe të drejtpërdrejta. Që në fillim të herës kuptohej që prishja e marrëveshjes së 5 qershorit ishte një ogur që negociatat nuk do të hapeshin. Pra konferenca e parë nuk do të zhvillohej. Edhe mazhoranca e kuptoi që nëse mbante marrëveshjen, ajo ishte e disfavorshme për projektet e mazhorancës për zgjedhjet e ardhshme. Dhe vendosi të shkojë përpara me idenë e marrjes së zgjedhjeve duke ndryshuar Kushtetutën në mënyrë të njëanshme së bashku me kodin elektoral. Duke vënë kështu kontroll të plotë mbi administrimin zgjedhor. Të gjitha këto vendime shumë arbitrare shkelën dhe kushtin e BE për një kod elektoral konsensual.
Kola tha se Kryeministri Rama i ka shpëtuar përkohësisht një artikulimi dënues për sipërmarrjet e tij të fundit në lidhje me prishjen e konsensusit të 5 qershorit dhe ndryshimit të njëanshëm të Kushtetutës.