Meta: Kontributi ynë për tre ligjet do mbetet historik
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta e cilësoi si historik kontributin e LSI-së për miratimin e paketës së integrimit.Ndërsa prezantoi në Krujë, kandidatin për deputet Bujar Derveni, Meta u shpreh se LSI-ja bëri të mundur bashkimin e Parlamentit shqiptar në kulmin e fushatës elektorale për të votuar tre ligjet e integrimit."Edhe integrimin evropian ne e kemi si një angazhim madhor në shërbim të vendit, të zhvillimit të tij, të progresit të tij. Ishte LSI ajo që bashkoi Parlamentin shqiptar në kulmin e fushatës elektorale për një qëllim të përbashkët, për të votuar tre ligjet, në mënyrë që Shqipëria brenda këtij viti të marrë statusin e vendit kandidat dhe unë jam i bindur që ne do ta marrim dhe kontributi i LSI-së do të ngelet një kontribut historik. Vendi ka nevojë për ndryshime më të mëdha. Slogani ynë është “Të ecim më shpejt”, që do të thotë se ne nuk mohojmë arritjet e deritanishme por ne jemi të bindur se po të vazhdohet me këtë vetëkënaqësi, po të vazhdohet me këtë eufori problemet do të shtohen akoma më shumë. Vetëm pak ditë më parë raporti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim tregonte qartë se në tre muajt e parë të këtij viti ekonomia jonë u rrit vetëm me 0.5%. Kjo do të thotë se jemi shumë pranë recensionit apo rënie ekonomike, jo rritjes”, deklaroi z. Meta.Gjithashtu Meta ripërsëriti mbështjetjen që Lëvizja Socialiste për Integrim do t`i japë biznesit fason duke premtuar gjithashtu edhe uljen me 10 % të TVSH-së për zhvillimet turistike.“Shumë lehtësi që janë bërë këto vitet e fundit kanë qenë rezultat i insistimit të LSI-së, që nga bërja zero e taksës doganore për lëndët e para për industrinë fason, që nga bërja zero e taksave për pagat deri në 30 mijë lekë të reja, që nga heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet e kështu me radhë. Ne do të vazhdojmë të japim një mbështetje akoma më të madhe sepse është një mundësi e shpejtë për të hapur më shumë vende pune, pikërisht tani kur problemet sociale janë të mprehta për shkak edhe të krizës evropiane që na rrethon”, vijoi ai.Meta tha se programi i LSI-së për zhvillimin ekonomik të vendit e për rritjen e punësimit është zgjidhja më realiste që ndihmon Krujën dhe krutanë dhe të gjithë qytetarët shqiptarë për të dalë nga kjo situatë e vështirë ekonomike dhe për të ecur drejt një ekonomie të qëndrueshme, drejt një ekonomie e cila rritet gjithnjë e më shumë dhe në mënyrë afatgjatë.“Për këtë prioriteti ynë është tek rritja e prodhimit, tek rritja e eksporteve, të cilat do të garantojnë edhe një punësim të sigurt dhe afatgjatë. Kriza që po ndodh në Itali dhe në vende të tjera të Evropës pranë nesh është njëkohësisht një mundësi e shkëlqyer të cilën duhet ta fitojmë dhe duhet ta investojmë në interes të transferimit të shumë aktiviteteve, të shumë fabrikave, këtu në vendin tonë, vetëm në funksion të rritjes së punësimit. Kjo duke realizuar parqet industriale, lehtësitë infrastrukturore dhe ato fiskale që e tërheqin investitorin e huaj dhe që ne fitojmë punësimin e mijërave krutanëve dhe shqiptarëve. Është e rëndësishme që e t’i japim pune cilitdo që dëshiron të punojë. Është detyra e qeverisë, duhet të jetë vizioni dhe përkushtimi i saj për t’i shfrytëzuar të gjitha potencialet që ka e gjithë Shqipëria”, u shpreh Meta.