Deklaratat e Ramës, Berisha: Infermieret e kanë falur pacientin e tyre
Kryeministri Berisha ka marrë pjesë sot në inagurimin e rikonstruksionit të korpusit të spitalit të Pogradecit, me vlerë rreth 60 milionë lekë. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha vlerësoi punën e bërë nga bluzat e bardha për rritjen e jetëgjatësisë në vend.“Ju jeni aty ku është dhimbja e kombit. Misioni juaj është i pakrahasueshëm dhe ju në disa aspekte keni dhënë kontributin tuaj për ta vendosur vendin me dinjitet në krah të vendeve të zhvilluara. Vdekshmëria foshnjore ka qënë një problem madhor për ne nga 2005 në 2011 ndërsa tashmë vdekshmëria foshnjore pothuajse është përgjysmuar. Jeni ju që me kujdesin tuaj për nënat shtatzënë që keni bërë që vdekshmëria të bjerë në 5.8 në 100 mijë dhe kjo është një nga shifrat më të ulta në botë. Vendet më të zhvilluara e kanë këtë tregues shumë herë më të lartë. Por nëse vështrojmë popullatën në tërësi do të gjejmë që Shqipëria ka vdekshmërinë më të ulët se të gjithë kombet ish-komuniste. Natyrisht që ka shqiptarofobë që sapo bëj krahasime, thonë "ky na krahasoi me këtë e atë", por në vendet e lira krahasimi ekziston, që vendet të arrijnë rezultate sa më të mira. Ne mjekët jemi aksionerët më të mëdhenj në shëndetin e qytetarëve" tha kryeministri.
Kryeministri Berisha ka "shigjetuar" edhe kryesocialistin Rama në lidhje me deklaratat e tij për sistemin e shëndetësisë."Ne do të përmirësojmë menaxhimin por ata që mohojnë arritjet, kontributet tuaja të jashtëzakonshme, sakrificat tuaja në shërbim të qytetarëve ata bëjnë një gabim shumë të rëndë. Ata të cilët shprehen se nuk shkon dot në spital i pashoqëruar gruaja, i them: I dashur shok, infermieret shqiptare ta falin këtë, sepse ato dinë t’i falin pacientët e tyre” tha Berisha.Gjithashtu kryeministri në fjalën e tij ka numëruar edhe disa nga sukseset në mjekësi ndërsa premtoi që në vitet e ardhshme do të bëhet gjithçka për nivele akoma më të mira në sistemin e shëndetësisë.
“Ne kemi mobilizuar fonde të mëdha. Sot Shqipëria disponon aparatura të fjalës së fundit. Lista e barnave të rimbursueshme është më e plota që ekziston në ndonjë vend. Pensionistët kanë të rimbursura 100% ilaçet që përdorin. Të sëmurët me sëmundje të rënda kanë një rimbursim mesatar prej 8600 dollarë në muaj. Fondi I rimbursimit të ilaçeve është sot 8.4 miliardë. Sot, nga 45 të sëmurë që përfitonin nga hemodializa në 2005, sot janë 600 të sëmurë që marrin trajtime. Ne kemi bërë dhe bëjmë gjithçka për të përballuar nevojat e qytetarëve. Janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi 400 qëndra spitalore dhe kemi bërë kujdes për rritjen e pagës së mjekëve. Mjeku parësor merr pagë 170% më të lartë se 6 vjet më parë. Infermierja merr pagë 2.4 herë më të lartë, merr përafërishst 24 rroga në vit se ç’merrte 6 vjet më parë. Ne do vazhdojmë t’i rrisim ato si dhe të mësuesve, pensionistëve. Kjo është politika jonë", tha Kryeministri.