Berisha-Rama-Basha, debat virtual për planin e Tiranës
Nga OraNews Përditësimi i fundit 1 Qershor 2013, 17:26
Kryeministri Sali Berisha ka njoftuar firmosjen e Planit të Përgjithshëm të Rregullimit të Territorit për kryeqytetit të cilin me anë të njoftimi në rrjetin “Facebook” e quajti "Kushtetutën e Tiranës".Berisha e quan projektin si planin e Shekullit për Tiranën, i cili sipas tij firmoset pas garantimit të fondeve për ndërtimin e bulevardit të ri deri në Paskuqan."Të dashur miq! Sot, pas të gjitha diskutimeve, por edhe ndryshimeve të rëndësishme ligjore, unë sot firmosa Planin e Përgjithshëm të Rregullimit të Territorit të kryeqytetit të vendit, apo Kushtetutën e rregullimit të territorit të Tiranës", shkruan Berisha në faqen e tij në “Facebook”."Ky është Plani i Tiranës së këtij shekulli, që miratohet pasi janë përfunduar projektet dhe garantuar fondet për ndërtimin e bulevardit të ri, deri në Paskuqan, si dhe vazhdimin e bulevardit "Zogu I" dhe krijimin e një zone rekreative në zonën e Lumit të Tiranës", shton kryeministri në komentin e tij.Më tej Berisha shkruan se ky plan, funksionon mbi bazën e ligjeve, të cilat shkurtojnë kohën e lejeve të ndërtimit, duke akuzuar Ramën se pati vendosur një afat korruptiv për lejet e ndërtimit. "Kushtetuta e re e territorit të Tiranës funksionon mbi bazën e ligjeve që shkurtojnë kohën e lejeve të ndërtimit prej 399 ditësh, e treta më e gjatë dhe më e korruptuar në botë, standard i zotit Rama, në 45 ditë, standard i zotit Basha dhe Partisë Demokratike".Pas njoftimit nga ana kryeministrit Sali Berisha, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryesocialistit Edi Rama.Përmes një postimi në rrjetin social, “Twitter”, Edi Rama ka sulmuar planin duke e quajtur atë dritëshkurtër e korruptiv urbanistik. Rama thotë se Partia Socialiste do ta anulojë planin nëse vjen në pushtet më 23 Qershor."Kryeministri lajmëron me tam-tame firmosjen e planit me dritëshkurtër e korruptiv urbanistik që ai e quan Kushtetuta e Tiranës! Anullohet në 23 Qershor" shkruan Rama në “Twitter”.Ndërkaq, në debatin në distancë është përfshirë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.Me anë të një reagimi Basha, thotë se mungesa e planit u ka kushtuar rëndë qytetarëve të Tiranës. Basha thotë se anulimi i këtij plani do të ishte rikthim prapa në kohën e abuzimeve dhe lejeve selektive.“Tirana dhe qytetarët e saj me 23 Qershor do votojnë për zhvillimin dhe ecjen përpara. Rama 11 vjet kishte të gjitha mundësitë për ta bërë Tiranën me plan urban. Nuk e bëri sepse nuk donte transparencën. Plani u miratua brenda 2 vitesh me pjesëmarrjen masive të qytetarëve të Tiranës. Kërcënimi i Ramës për ta anuluar planin, kthim mbrapa te zhvillimi selektiv dhe korruptiv”, është shprehur Basha.