Tiranë, hapet salloni “Baby - Vip”, Tabaku: Bashkia mbështetje ideve novatore dhe planeve të biznesit
Me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, përmes një granti prej 2500 dollarësh, fëmijët e Tiranës do të kenë një sallon bukurie dedikuar tërësisht atyre. Në ditën e 1 Qershorit, salloni “Baby – Vip” ka hapur dyert, duke qenë i pari i këtij lloji në Tiranë. Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku, e pranishme në hapjen e këtij salloni, ka garantuar vazhdimin e mbështetjes nga Bashkia e Tiranës, për të gjithë ata që kanë ide novatore dhe plane të mira biznesi.“Zgjodhëm sot 1 Qershorin, për të ardhur dhe për të parë biznesin i cili u hap si rezultat i mbështetjes së Bashkisë së Tiranës, me grante të vogla, projekt i Bankës Botërore. 30 plane biznesi u mbështetën me 2500 dollarë secili dhe një prej tyre ishte biznesi që sapo vizitova dhe që kanë zgjedhur për ta inauguruar sot, në 1 Qershor. Një ide shumë interesante, shumë novatore e cila u drejtohet fëmijëve dhe përfitojmë nga rasti t’u urojmë 1 Qershorin, duke siguruar se sa herë që Bashkia të ketë mundësi për ide të tilla biznesi, që janë në shërbim të fëmijëve, ne do i realizojmë ato” – theksoi Tabaku.Bashkia e Tiranës ka mbështetur deri tani mbi 30 plan biznese, me një fond prej 2500 dollarësh.Pronarja e këtij salloni Tushe Aluku, e kënaqur që realizoi këtë ide të hershme të saj, falënderoi Bashkinë që i krijoi këtë mundësi.“Dua të falënderoj shumë Bashkinë e Tiranës, që më përkrahu menjëherë në idenë time! Me thënë të drejtën, nuk i kishim mundësitë por mbështetja e Bashkisë na bëri ta realizojmë këtë dëshirë dhe ta hapim sot këtë sallon, me rastin e festës së fëmijëve”Tabaku i është bashkuar sot festës së organizuar për fëmijët, me rastin e 1 Qershorit, në njësitë bashkiake 8 dhe 10 në kryeqytet, ku për fëmijët ishin përgatitur edhe dhurata të veçanta.