Nis rikualifikimi urban i bllokut "Qemal Stafa”dhe ndërtimi i rrugës “Ibrahim Brahja”
Bashkia e Tiranës ka nisur rikualifikimin urban të bllokut ”Qemal Stafa”. Pjesë e këtij projekti është dhe ndërtimi i rrugës “Ibrahim Brahja”, një rrugë e cila ishte kthyer në shqetësim të madh për banorët, si në kohë me diell ashtu dhe me shi. Kryebashkiaku Lulzim Basha, i pranishëm në nisje të këtyre punimeve ka garantuar banorët se në Tiranë ka ikur koha e asfalteve elektorale, siç ka ndodhur në të shkuarën.“Tek rruga “Ibrahim Brahja” kushtet janë kaq të këqija saqë nevoja për ndërhyrje të menjëhershme ishte e jashtëzakonshme. Megjithatë ju thashë se ne nuk do të ndërhyjmë me asfalt elektoral, sepse me asfalt elektoral në bllokun “Qemal Stafa” janë bllokuar kolektorët por nuk është zgjidhur problemi. Do të ndërhyjmë me një projekt të thellë i cili në mënyrë totale do të zgjidhë të gjithë problematikat e kanalizimeve, sipas nevojës së ujësjellësit, shtrimit me të gjithë shtresat e nevojshme dhe të asfaltimit në mënyrë solide dhe të qëndrueshme të kësaj rruge dhe gjithë bllokut “Qemal Stafa”, të gjelbërimit dhe krijimit të shesheve për të rinj e të moshuar dhe sot po bëjmë pikërisht këtë” – u shpreh Basha.Me një investim prej 50 milionë lekësh parashikohet ndërtimi i trotuareve në brendësi të bllokut, sipas skemës së dhënë në planimetri. Shtrimi është bërë me pllaka vetështrënguese dhe me bordura të parafabrikuara. Në pjesët e ndërprerjes së trotuareve është parashikuar ndërtimi i panduseve të kalimit në nivel rrugë-trotuar, për personat me aftësi të kufizuar. Gjithashtu janë parashikuar punime të ndërtimit të ujësjellësit, sistemit të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe ujërave të bardha. Do të vendosen 57 shtylla, ndriçimi si dhe spostim të linjave elektrike dhe të telefonisë. Çdo hapësirë midis rrugëve dhe pallateve do jetë një minilulishte, e mbjellë me bar dhe pemë dhe shkurre dekorative të mbjella në të.“Anembanë këtij blloku vihet re një neglizhencë e patolerueshme, për një lagje të vjetër, të konsoliduar të Tiranës e cila ka rezultuar në degradim total të çdo faciliteti urban, ndaj edhe ndërhyrja jonë me një vlerë prej 500 milionë lekësh do të jetë e gjithanshme. Para përfundimit të sezonit të mbjelljeve të këtij viti, ne mbollëm një sasi pemësh bliri por me fillimin e punimeve sot, ne do të trajtojmë të gjithë çështjet e mbetura në këtë bllok dhe që kanë të bëjnë me afro 15 mijë metra katrorë rehabilitim urban, shtrim, gjelbërim, stola, ndriçim, kanalizime cep më cep të bllokut “Qemal Stafa”, duke filluar siç e shikoni këtu, nga rruga “Ibrahim Brahja” – theksoi Basha.Ndonëse afati i punimeve në këtë bllok banimi është 6 muaj, Kryebashkiaku ka kërkuar nga kontraktori të ecet më shpejt dhe natyrisht kusht primar është cilësia.“Gjatë takimeve me banorët vihet re një gëzim i ligjshëm që punët po fillojnë dhe unë i garantoj se së bashku me kontraktorin, supervizorin dhe gjithë stafin e Bashkisë së Tiranës do të jem këtu në mënyrë të vazhdueshme, për të siguruar që puna të përfundojë brenda një kohe rekord dhe me cilësinë e nevojshme për t’u dhënë banorëve të bllokut “Qemal Stafa”, të rrugës “Ibrahim Brahja” dhe gjithë rrugëve të tjera të këtij blloku, cilësinë e munguar të jetës në këtë zonë dhe bashkë me të edhe rritjen e vlerës së pronës së tyre” – u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.