Mësuesit të rrezikuar nga Covidi, Basha: Meritoni trajtim mbrojtës për virusin
Përveç se u ka shtuar orët e punës, pandemia e koronavirusit po u rrezikon dhe jetën arsimtarëve shqiptarë.
Të enjten ndërroi jetë Xhevit Dermyshi, mësues në qytetin e Gramshit.
Rreziku që iu kanoset si dhe ngarkesa e tepërt mësimore ishin disa prej shqetësimeve që arsimtarët ngritën gjatë një takimi me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
"Jam e prekur sepse ditën e enjte një nga koleget tona të qytetit të Lushnjes ka humbur jetën nga Covid. Kemi dhe mësues të tjerë që kurohen, nuk janë deklaruar."
"Nëse një mësues ka dhënë më parë mësim në 5 klasa tani jep në 10, nëse ka dhënë 10 orë mësim, tani jep 40 orë mësim."
"Orët kujdestari nuk janë përfshirë në normë."
Mësuesit thanë se shumë prej kolegëve të tyre nuk deklarojnë se janë me koronavirus pasi i frikësohen largimit nga puna.
"Frika që nga shtatori i orëve mangut për largimin e nxënësve, frika dhe presioni i vazhdueshëm për largimin nga puna ka bërë që shumë mësues nga frika se mund të zëvendësohen dhe nuk kthehen më në arsim të fshehin faktin që po kalopjnë apo e kanë kaluar Covid-in.
Lulzim Basha theksoi se për mësuesit ashtu si dhe mjekët nevojitet trajtim mbrojtës, pasi janë një nga kategoritë më të ekspozuara.
Basha: Ne i propozuam që në fillim qeverisë të ndërmerrte disa hapa, së pari të bënte testimin masiv të mësuesve, së dyti të merrnim masat minmale për ambjente të sigurta, dezinfektimin e ambjenteve, ujin e rrjedhshëm që vazhdon të mungojë.
Kryetari i Partisë Demokratike përsëriti se qeveria e tij do të rrisë buxhetin vjetor për arsimin, duke synuar rrogën minimale 700 euro për mësuesit.