Covid “prek” arsimin e drejtësinë, 50 mësues me koronavirus në Shkodër, mbyllet shkolla Gruemirë
Institucionet arsimore dhe ato të drejtësisë janë kthyer në vatra të përhapjes së koronavirusit. 65 mësues rezultojnë të prekur në Fier e Shkodër, që pas Tiranës janë dy nga qarqet me numrin më të lartë të të prekurve me Covid 19. Ndërsa dhënia e drejtësisë u paralizua edhe në Sarandë, ku gjykata u mbyll.
Shkolla e mesme e Gruemirës është i pari institicion arsimor që mbyllet në qarkun e Shkodrës për shkak për përhapjes së koronavirusit.
Dy mësues janë konfirmuar me Covid 19, ndërsa 6 të tjerë janë karantinuar, duke detyruar kalimin online të procesit mësimor deri në normalizimin e situatës.
50 mësues rezultojnë të prekur në 5 bashkitë e qarkut, por procesi mësimor është ndërprerë vetëm në Gruemirë.
MËSUES ME COVID
-35 mësues në Shkodër
-5 mësues në Malësi e Madhe
-10 mësues në Pukë
Shkollat e kopshtet janë ndër vatrat e përhapjes së koronavirusit edhe në qarkun e Fierit, që për nga numri i të prekurve është cilësuar si zonë e kuqe.
15 mësues dhe 10 nxënës janë infektuar vetëm në 10 ditët e fundit, ndërsa konfirmimi pozitivë i 8 edukatoreve ka detyruar mbylljen e 3 institucioneve parashkollore vetëm në Bashkinë Fier.
Elizabeta Ikonomi: Kemi 8 edukatore në çerdhe dhe një sanitare, si dhe 7 edukatore në kopshte, dy sanitare, një kuzhiniere dhe një pjatalarëse.
Institucionet e drejtësisë po ashtu janë vatra të përhapjes së koronavirusit.
Infektimi me Covid 19 i dy punonjësve të gjykatës së shkallës së parë të Sarandës ka bërë që ky institucion të mbyllet. Për 14 ditë, të gjitha veprimtaritë gjyqësore do të anulohen.
Përhapja e koronavirusit ka pezulluar punën më herët edhe në Gjykatën e Vlorës, Gjirokastrës, Durrësit e Krujës, ky gjyqtarë, prokurorë e punonjës janë konfirmuar të prekur me Covid 19.