Balla: Në Shqipëri nuk janë kryer kurrë krime lufte, Berisha dhe Basha të kërkojnë falje që kanë votuar pro raportit të Dick Marty
EULEX-i, UNMIK-u dhe struktura të tjera ndërkombëtare bashkë me institucionet shqiptare kanë kryer hetime në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës, Has dhe Mat, ku nuk kanë gjetur prova për akuzat që janë ngritur ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së lidhur me epidose të ndodhura në territorin e Shqipërisë. Kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, tha se këto gjetje do të përfshihen në rezolutën e parlamentit shqiptar që do të ngrihet për këtë çështje pas konsultave me juristët. Balla kujtoi se në kohën kur punonte në UNMIK, Lulzim Basha, ka marrë nga një dëshmitar okular banesën e krimeve të ndodhura në Krushë. Zyrtari i PS kërkoi që ky material të publikohet.
Në kohën kur ish-drejtuesit e UÇK po përballën me Gjykatën Speciale në Hagë, mazhoranca në Shqipëri ka angazhuar juristët për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për të hetuar mbi pretendimet e raportit të Dick Martin, për ekzistencën e burgjeve të UÇK-së në veri të Shqipërisë.
Nga njëra anë Balla shprehet se kërkon të pastrojë figurën e UÇK-së nga të gjitha dyshimet për krime lufte, por nga ana tjetër akuzon Lulzim Bashën për kohën që ka punuar për institucionet ndërkombëtare.
Balla: Ne jemi duke vlerësuar në kuadrin kushtetues dhe ligjor në instrumentat që ka kuvendi i Shqipërisë në funksion të një procesi kuvendor në kuadër të një komisioni të posaçëm, për të verifikuar çështje që lidhen me Shqipërinë në raportin që ka bashkëshoqëruar rezolutën e në asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës me iniciues ose hartues z.Dick Marty ku siç dhe ju e keni publikuar delegacioni shqiptar në asamble ka qenë i ndarë në pozicionet e veta. Mazhoranca e asaj kohe ka votuar pro raportit.
Pas atij momenti në Shqipëri janë bërë verifikime, qoftë nga EULEX apo institucione të tjera që kanë ushtruar aktivitete përgjatë kohëve të ndryshme në Kosovë,por dhe nga institucione hetimore shqiptare . Dhe për të gjitha këto është dashur dhe duhet të përfshihen në një dokument dhe është në dinjitetin institucional të Kuvendit të Shqipërisë por dhe në dinjitetin e Shqipërisë sonë të përbashkët që në këtë kontest të gjitha këto gjetje dhe dëshmie të nevojshme që hedh poshtë dyshime, sepse prova nuk ka e nuk ka, se në Shqipëri, Kukës, Has apo Mat të ketë pasur baza të UÇK në të cilat të jenë kryer krime sikurse pretendohet krime kundër njerëzimit apo krime lufte.
Kjo çështje është kthyer edhe në një përdorim politik në vend, ku PS e sheh vetëm kampin opozitar.
Balla: Lulzim Basha dhe Sali Berisha duhet të kërkojnë njëherë falje që kanë votuar atë raport kundër luftës çlirimtare të Kosovës. PD aq sa ka mbetur nga partia e idealeve të dhjetorit duhet të mbajë një qëndrim dhe mendoj që Lulzim Basha të paktën për këtë çështje duhet të ndahet nga Sali Berisha nëse ka këllqe ta bëjë këtë gjë. Vota e PD në asamblenë kombëtare të Europës pro raportit të Dick Marty është një tradhti e rëndë kombëtare. Për hetimin shqiptarët kurrë nuk kanë kryer krime lufte. Por Lulzim Basha që ka transportuar si jurist apo dhe si turist një prej personave të përfshirë në hetim duhet të qartësojë disa elementë që lidhen. Ajo që unë kam publikuar dhe që përfshin Lulzim Bashën është një fakt i bërë publik.
Në fund të komisionit parlamentar, Taulant Balla thotë se raporti me gjetjet e hetimeve të kryera në veri të Shqipërisë, do t’i dorëzohet Këshillit të Europës për të bërë një rivlerësim mbi rolin e Shqipërisë në këtë çështje.