Bashkia nuk "zë" me dorë kanalin e ujërave të zeza, banorët e Spitallës: Po detyrohemi të shesim shtëpitë
Kanali i ujërave të zeza në zonën e Spitallës e në vazhdimësi bëhet shkak për përmbytje në zonë, ku për shkak të mungesës së investimeve të bashkisë Durrës, rrjeti i kanalizimeve thuajse mungon.
Banorët thonë se kanali nuk është pastruar plotësisht prej vitesh, dhe Bashkia nuk ka marrë asnjë masë edhe tashmë që stina e reshjeve ka nisur.
Prej më shumë se 5 vitesh në Spitallë të Durrësit kanali i ujërave nuk është pastruar, duke dalë kështu jashtë funksionit.
“Kur ishte sistemi i mëparshëm u pastronte dy herë në vit, kurse tani një herë në pesë vite. Ky kanal ka pesë vite papastruar, nuk duan ta dinë fare as komuna dhe as bashkia e Durrësit. Jemi ankuar shumë herë por asgjë deri tani”, shprehen banorët.
Banorët shprehet se sa herë bie shi ata përmbyten.
"Kjo lagje është përmbytur katër herë, askush nuk erdhi në derë”, shprehen banorët.
Për ta jetesa është bërë e pamundur në këtë zonë dhe kanë nisur të ikin nga aty
"Unë jam mërzitur shumë këtu dhe po kërkoj me insistim të iki nga kjo lagje, e kam vënë shtëpinë në shitje sepse këtu nuk jetoj dot”, shprehen banorët.
Ata thonë se kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, u ka premtuar se do ta rregullojë por asgjë nuk ka bërë deri më tani.
“Kemi shkuar jemi ankuar tek kryetarja e bashkisë, na premtoi se do i rregulloje por deri tani nuk kemi parë asgje”, shprehen banorët.