‘Do 6 mijë euro, 2 për secilin gjyqtar. SPAK përgjoi bashkëshortin e gjyqtares së Apelit dhe avokatin
Ora News zbardh vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj gjyqtares së Apelit Korçë Mimoza Margjeka, avokatit Skënder Demiri dhe bashkëshorit të gjyqtares Arben Cara.
Ata akuzohen për korrupsion, pasi përmes ryshfetit kanëndryshuar masën e sigurisë për Orion Balin nga "arrest me burg" në"garanci pasurore".
Përgjimet telefonike disa javore të SPAK por dhe përgjimet ambientale kanë zbuluar se Mimoza Margjeka i ka marrë paratë përmes bashkëshortit të saj, Arben Cara.
Djali i telefonon të ëmës: ‘Burri i huaj do 6 mijë euro. 2 për secilin gjyqtar’
Prokuroria zbardhi bisedat telefonike prej datës 7 korrik kur vëllai i Orionit i telefon të ëmës, Afërdita dhe i kërkon shumën 6 mijë euro si fillim për ta nxjerrë në “arrest shtëpie”. Orion Bali ishte arrestuar për trafik klandestinësh në Pogradec që shërbeu dhe si pikënisje për hetimet.
Nga dokumenti mesohet se flitej për një shumë prej 10 mijë eurosh, por si fillim duheshin 6 mijë euro për secilin gjyqtar.
“Burri i huaj do 6 mijë euro si fillim pasi ka 3 gjyqtarë dhe nga 2 secili për të mos llogaritur më pas edhe Skënderin”, citohet të thotë, Nejton Bali, vëllai i të dënuarit.
Afërdita shprehet e shqetësuar se ku do ti gjente lekët duke përmendur emra personash se kujt mund tja kërkonte.
Nejtoni i thotë të ëmës se i duhen 7 mijë euro njëherë, patjetër, pasi edhe Skënderi (avokati) donte ndonjë lekë.
“Lekët duhen paguar nesër dhe duhen çuar Skënderit për ta nxjerrë në “arrest shtëpie”, për të ndryshuar masën e sigurimit. Shkon diku rreth 10 mijë euro ose në të kundërt 5 deri në 10 vjet burg pasi e kanë çuar në paragraf të tretë” i thote Nejtoni të ëmës.
Ndërkohë avokati ka kërkuar të fusë në llogari bankare 5 milione leke si garanci pasurore për të bindur gjykatën në ndryshimin e masës së sigurisë.
Si u ranë në dorë 6 mijë eurot
Arrestimi me 6 korrik - Orion Bali banues në Farkë dhe Adi Mullalli banues në fshatin Zëmblak u arrestuan më 4 korrik 2020 për të cilët gjykata e shkallës së parë e Pogradecit kishte dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”. Orion Bali në këtë seance ka patur si avokat mbrojtës të zgjedhur Skënder Demiraj, anëtar i Dhomës së Avokatisë.
“Shtetasi Skënder Demiraj, mbrojtësi i të dënuarit Bali, i ka siguruar familjarëve, konkretisht vëllait të të dënuarit Nejton Bali, mundësinë e ndërhyrjes te funksionarë të sistemit të drejtësisë, gjyqtare në Gjykatën e Apelit Korçë me qëllim të zbutjes së masës së sigurimit ndaj Orionit kundrejt një shpërblimi monetar për gjyqtarët në shumën prej 6 mijë eurosh.
Netjon Bali pasi ka siguruar shumën monetare të kërkuar ja ka dhënë ato Skënder Demirajt. Ky I fundit, nga ana tjetër, ka vendosur komunikime me disa shtetas nga Korça dhe nga shtetasi Klaudio Zhilla i është siguruar mundësia e ndërhyrjes te gjyqtarët, Olsi Xhavella dhe Mimoza Margjeka për shkak të njohjeve personale që kishte me Olsi Xhavella dhe me bashkëshortin e gjyqtares Arben Cara.
Shtetasi Klaudjo Zhilla ka vijuar përmbushjen e premtimit të tij, duke komunikuar dhe takuar vetë shtetasin Arben Cara dhe më pas duke ndërmjetësuar dhe mundësuar takimin e tij me shtetasin Skënder Demiraj. Shtetasi Skënder Demiraj i ka dhënë shtetasit Arben Cara shumën praj 6 000 (gjashtë mijë) eurosh me qëllim zbutjen e masës së sigurimit të “arrestit në burg” ndaj shtetasit Orion Bali”
Shtetasi Nejton Bali, vëllai i Orionit, pas komunikimeve me mbrojtësin, avokatin Skënder Demiraj, ka njoftuar duke siguruar, të ëmën se shuma monetare u është dhënë gjyqtarëve dhe masa e sigurimit ndaj Orionit do të ndryshohej nga “arrest në burg” në “garanci pasusore” premtim qe është bërë real me vendim nr. 110, datë 29/07/2020 të Gjykatës së Apelit Korçë" thuhet në vendimin e gjykatës.
Si u bë dorëzimi i parave
Të gjitha lëvizjet e familjarëve janë përgjuar. Dorëzimi i parave është bërë me 28 korrik. Paratë i janë dhënë bashkëshortit të gjyqtares në ambientet e një hoteli.
Më 28.07.2020, në orën 15.59, Skënderi komunikon me Nardin, dhe i bën me dije se ka ardhur dhe se është te hotel “K...”, tek hotel Turizmi por nuk po lidhet dot me Klodin.
Në 16:12 te Skënderi afrohet një person i cili zbriti nga një mjet tip “Smart” në pronësi të shtetasit Klaudio Albert Zhilla (Klodi). Së bashku shkojnë në ambjentet e Hotel “P..." në katin e dytë.
Në 17:03 Klodi lëviz me makinën Smart drejt qendrës.
Në 18:56 Klodi është takuar me shtetasin Arben Cara në ambjentet e Bar "S....."
Në 19:20 Klodi dhe Cara dalin nga bar "S..." dhe ecin në këmbë., afrohen te hotel "P...." Klodi hyn në ambjentet e Hotelit ndërsa Arbeni e pret para hotelit.
Në 19:30 Klodi del nga hoteli dhe takohet me Arbenin, hyjnë në ambjentet e brendshme të restorantit që ndodhet në bodrum të hotelit. Më pas del shtetasi Skënder Demiraj dhe futet te restorant dhe ulet në të njëjtën tavolinë me Klodin dhe Arbenin.
Në orën 21:11 Klodi, Skënderi dhe Arben Cara dalin nga ambjentet e restorant ndërsa Arben Cara vazhdon lëvizjen në këmbë drejt Bashkisë Korçë.
Më 29.07.2020 rreth ores 09:10 Klodi është takuar me shtetasin Arben Cara tek nje bar që ndodhet te Pazari i Vjetër në Korçë.
Më 29.07.2020, ora 15:11 Skënderi komunikon me Klodin dhe i thotë se mbaroi punë.
Kur masa ndryshohet avokati merr vellane e te arrestuarit për ta informuar se mbaroi pune.
Ajo që nuk sqarohet nga SPAK është përfshirja e dy gjyqtarëve të tjerë të treshes gjykates se Apelit Korce.
Masat e sigurisë për të akuzuarit
Gjyqtarja e Apelit, bashkeshorti, avokati dhe dy personat e tjerë, Nejton Bali dhe Klaudio Zhilla u arrestuan më 9 shtator.
Ndaj Arben Cara dhe dy sekserte u vendos masa e arrestit me burg, ndersa për gjyqtaren dhe avokatin u dha masa e sigurise arrest shtepie.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin nr. 92 datë 05.09.2020 ka caktuar :
Masën e sigurimit “arrest në burg”, ndaj Nejton Bali dhe Klaudjo Zhilla, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal.
Masen e sigurimit “arrest në burg” u dha dhe ndaj Arben Cara, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç e 25 i Kodit Penal.
Masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasit Skënder Demiraj, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 e 25 i Kodit Penal.
Masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Procedurës Penale, ndaj shtetases Mimoza Margjeka, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç e 25 i Kodit Penal.

Lexo me shume: Shkarkohet gjyqtari Artur Gaxha