Dyshime për tenderin, kompania skualifikuese ankimoi procedurën ku fitoi subjekti i Gjelishtit

Përzgjedhja e kompanisë së Igli Gjelishtit në tenderin për platformën elektronike të dërgimit të SMS për Postën Shqiptare është ankimuar në komision. Kjo me argumentin se skualifikimi i një subjekti ishte i padrejtë dhe se fituesi nuk kishte përcaktuar as koston e mesazheve dhe as numrin. Por pavarësisht kësaj, vendimi ka lënë në garë vetëm një subjekt, detyrimisht dhe fituesin.

Partia Demokratike akuzoi pak ditë më parë se pas kompanisë së Igli Gjelishtit fshihet gazetari dhe pronari mediatik Carlo Bollino, ndërsa sipas të dhënave të APP, Image & Communication Develompent është shpallur fituesi i 17 tenderave, ku ose ka marrë pjesë i vetëm ose të gjithë operatorët e tjerë janë skualifikuar.

Sipas të dhënave në tenderin “Për platformën elektronike për dërgimin e SMS-ve” të kontraktuar nga Posta Shqiptare ka pasur dhe ankesa në lidhje me skualifikimin e një kompanie.

Për procedurën e ndjekur operatori “Kristal Communication” ka pretenduar se në garë janë futur dy operatorë në bashkëpunim, por se janë trajtuar të ndarë, duke u sjellë skualifikimin edhe pse kishte ofertën më të ulët.

“Sipas Ligjit të Prokurimit Publik Neni 44, pika 2, “Operatorët Ekonomikë”, bashkimi i operatorëve ekonomikë për të marrë pjesë në një prokurim konsiderohet si një kandidat i vetëm. Njoftimi juaj i skualifikimit e ka shkelur këtë klauzolë duke e formuluar këtë njoftim në mënyrë të tillë që shoqëria “Red Technology Solution (RTS)” sh.p.k. shihet dhe trajtohet si një kandidat më vete.”

Madje operatori pretendoi se ishte kompania e Igli Gjelishtit që duhej skualifikuar.

“Formulari i ofertës së shoqërise “Image & Communications Development” nuk është plotësuar në mënyrë të drejtë, të saktë dhe ligjore, pasi nuk jep asnjë lloj informacioni sesa do të jetë çmimi i një SMS, apo sa kredite do të përrnbajë një SMS, apo si do të ndryshojnë tarifat drejt destinacioneve kombëtare dhe atyre ndërkombëtare, duke qenë dhe kjo kështu një arsye për skualifikim.”

Në kthimin e përgjigjes, Posta Shqiptare ka refuzuar ankesën me argumentin se çdo operator ekonomik duhet të përmbushë kërkesat ligjore dhe në këtë rast një nga subjektet pjesëmarrëse është konstatuar se nuk përmbush kapacitetin ekonomik dhe financiar.

Ndërkohë që është rrëzuar dhe pretendimi për skualifikimin e komapnisë së Gjelishtit, duke theksuar se formulari i ofertës është plotësuar nga ky operator sipas të gjitha kritereve të përcaktuara.

Ankimimi ka vazhduar në KPP, i cili po ashtu ka vendosur të mos pranojë ankesën.

Megjithatë, ky nuk është rasti i vetëm që është shoqëruar me ankesa për tenderët e fituar nga kompania e Gjelishtit, e cila sipas PD-së i ka kaluar fonde kompanive në pronësi të Bollinos.

Lexo: Te gjitha lajmet mbi denoncimin e PD-se per tenderat pa gare