Maqedoni: Mosmarrëveshje brenda BDI-së për postet ministrore, nuk mblidhet Kuvendi

Qeveria e re e Maqedonisë që do të udhëhiqet nga Zoran Zaev do të ketë 19 ministra, 7 ministra më pak se qeveria aktuale

LSDM-ja do të ketë 11 ministra, tetë prej të cilëve me portofol dhe tre zëvendëskryeministra. Ministria e Bujqësisë, do të drejtohet nga Lëvizja Besa, ndërsa ministër i Pushtetit lokal do të jetë nga PLD-ja që të dy partnerë të koalicionit parazgjedhor “Mundemi”.

BDI do të ketë gjashtë anëtarë në Qeveri. Me gjithë deputetin e PDSH-së shumica parlamentare në Kuvend do të jetë prej 62 deputetësh.

Nuk mblidhet Kuvendi- Ndërkohë edhe pse ishte caktuar për sot nuk u mblodh seanca parlamentare për emërimin e Kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi edhe për një mandat 4 vjeçar në krye të ligjvënësit.

Burime nga Kuvendi thonë se konsultimet po vazhdojnë dhe se nuk dihet çfarë vendimi do të merret.

Ndërkaq bruime nga LSDM-ja kanë thënë se seanca konstituive në të cilën do të zgjedhet kryeparlamentari, do të mbahet të premten.

Mosmarrëveshje brenda BDI-së - "Jozyrtarisht, kjo situatë e paqartë është rezultat i debatit të ashpër që mbizotëroi në mbledhjen e mbrëmshme të Këshillit të Përgjithshëm të BDI-së, me ç’rast degë të caktuara të kësaj partie kanë qenë të pakënaqura me ndarjen e resorëve.

Dega e Çairit dhe Sarajit kanë kundërshtuar emërimin e sekretarit të përgjithshëm, Artan Grubi për zy/kryeministër të parë dhe Ministër për Sistem politik. Ndërsa dega e Strugës dhe ajo e Likovës kanë kërkuar poste ministrore.

Si pasojë, Këshilli i Përgjithshëm i integristëve mbeti mbrëmë pa një vendim për atë se kujt do t’i ndahet dikasteri i Shoqërisë informatike dhe Administratës.

Burimet nga dega e Sarajit nuk i mohojnë pakënaqësitë, por nuk japin detaje me arsyetimin se bëhet fjalë për çështje të brendshme të partisë "shkruan alsat.mk ne shqip.