Cakaj: Urime Ali Ahmetit e Artan Grubit për punën e vyer që kanë bërë për forcimin e faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut

Pas përfundimit të negociatave me LSDM-në, ministrinë detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një bisedëtelefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të BDI-së në Maqedoninë e Veriut, ArtanGrubi.

Cakaj uron të gjithë shqiptarët për marrëveshjen që do të forcojë faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.  

“Kam shprehur urimet më të sinqerta për marrëveshjen historike që do të mundësojë për herë të parë një Kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut, qoftë edhe vetëm 100 ditë si fillim. Urime të gjithë shqiptarëve e falënderim të veçantë z. Ali Ahmeti e z. Artan Grubi për punën e vyer që kanë bërë në drejtim të forcimit të faktorit shqiptar, demokracisë e zhvillimit të brendshëm dhe proceseve euroatlantike në Maqedoninë e Veriut.”

Cakaj siguroi se me Maqedoninë e Veriut do të vijojë bashkëpunimi i shkëlqyer dypalësh dhe puna e përbashkët në kuadër të NATO-s dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.