Brukseli vëmendje për zgjedhjet, Stano flet për Ora News: BE kërkon standarde
Komisioni Europian i konsideron zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit të një rëndësie vendimtare, ndërsa pret që ato të jenë jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane. Zëdhënësi i Komisionerit për zgjerim në BE, Peter Stano, në një intervistë ekskluzive dhënë gazetares së RTV “Ora News”, Klementina Cenkollari në Bruksel, thotë se zgjedhjet e qershorit do të jenë një test për funksionimin normal të institucioneve demokratike të vendit dhe progresin në rrugën e Bashkimit Evropian."Të gjitha partitë politike janë përgjegjës për garantimin e pavarësisë së organeve të administratës zgjedhore. Kjo është thelbësore për kredibilitetin dhe paanshmërinë e punës së tyre dhe besimit të njerëzve në ndershmërinë dhe integritetin e zgjedhjeve. Populli shqiptar e meriton këtë. Për më tepër, një dialog i sinqertë dhe konstruktiv mes të gjitha partive politike është vendimtar në kontekstin e procesit zgjedhor, në dritën e zhvillimeve të fundit"tha ai.Stano thotë se Brukseli pret një mesazh nga Shqipëria për një konsensus politik mbi procesin zgjedhor kjo vlen edhe për situatën e krijuar në KQZ-në, që sipas Zëdhënësit të Komisionerit për Zgjerim në BE duhet bërë për të siguruar mbajtjen e qetë të zgjedhjeve."Mesazhi mbi nevojën për të rinovuar konsensus politik mbi procesin zgjedhor mbetet e vlefshme pasi çdo përpjekje duhet bërë për të siguruar mbajtjen e qetë të zgjedhjeve. Kjo vlen për të gjithë procesin, duke përfshirë KQZ. Megjithatë, ndonjë zgjidhje për ta përmirësuar situatën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të duhet të vijë nga pala shqiptare"theksoi Stano.Sa i përket marrjes së statusit të vendit kandidat Peter Stano thotë se konkluzionet e Këshillit ne dhjetor janë të qartë në atë që Shqipëria ka nevojë të bëjë.“Përfundimi i masave kryesore në fushat e reformës gjyqësore dhe të administratës publike dhe rishikimi i rregullave të procedurës parlamentare janë një kusht për një vendim për dhënien e statusit të kandidatit për Shqipërinë. Për më tepër, Këshilli ftoi Komisionin për të marrë parasysh në raportin e saj të ardhshëm veprim të mëtejshëm të marra nga Shqipëria për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, përfshirë edhe nga hetimet pro-aktive dhe ndjekjet penale të rasteve të tilla” përfundoi ai.Edhe zëdhënësja e shefes së diplomacisë europiane, Maja Kocijancic gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë shqiptarë në Bruksel tha se zgjedhjet e 23 qershorit duhet të zhvillohen sipas standardeve ndërkombëtare.Dhe për zgjedhje me standarde, Kocijancic thekson rëndësinë që ka Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve. Zëdhënësja e shefes së diplomacisë së BE, Maja Koçijançiç, vecoi se klima politike mbetet e polarizuar dhe është e nevojshme që liderët politikë të bashkëpunojnë pasi dialogu politik është thelbësor në përparimin e vendit. Reformat nuk janë të lehta, u shpreh Kocijancic, por janë të arritshme.