Projekti i vijës bregdetare në Vlorë, miratohet shuma e shpronësimeve për banorët
Mbi 68 mln lekë janë vënë në dispozicion nga qeveria shqiptare për shpronësimet në kuadër të zbatimit të projektit të vijës bregdetare të qytetit të Vlorës.Sipas vendimit të qeverisë, pronarët e pasurive të paluajtshme shpronësohen dhe kompensohen me vlerë të plotë me një shumë të përgjithshme prej 68 483 455.76 (gjashtëdhjetë e tetë milionë e katërqind e tetëdhjetë e tre mijë e katërqind e pesëdhjetë e pesë pikë shtatëdhjetë e gjashtë) lekësh. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.Për të marrë dëmshpërblimin, pronarët duhet të paraqesin dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë së Vlorës.“Brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, në bashkëpunim me Bashkinë Vlorë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit”, thuhet në pikën 7 të VKM-së.Është Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë ajo që do të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara./Ora News/