Rregullat e reja, pagesat e qirasë për policët që transferohen sipas hapësirës së banesës

Qeveria ka miratuar disa ndryshime në lidhje për përfitimin e pagesave të qirasë së strehimit për punonjësit e Policisë së Shtetit që transferohen. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave i marrë sot, qiraja e banesës i paguhet, “kur nuk i sigurohet ajo” dhe kjo pagesë kryhet me largësi mbi 36 km.Në vendim përcaktohet edhe masa e kompensimit të qirasë së banesë, duke u ndarë në 4 kategori. Kështu, kur punonjësi i policisë nuk merr me vete pjesëtarët e familjes, i paguhet qiraja e banesës për një sipërfaqe banimi deri në 43.93 m²; kur me vete merr një person nën ngarkim, hapësira e pagesës shkon në 56.47 m²; Kur polici merr dy persona, pagesat e qirasë bëhen për një hapësirë 79.74 m²; ndërsa kur janë plus tre persona, pagesat bëhen për një sipërfaqe banimi deri në 80.50 m². Numri i personave, pjesëtarë të familjes, në ngarkim të punonjësit të policisë vërtetohet me certifikatën e gjendjes familjare.“Vlera minimale mujore e çmimit të shitjes për metër katror sipërfaqe ndërtese të dhënë me qira do të përllogaritet në bazë të vlerës mesatare të shitblerjeve të banesave në tregun e lirë, sipas njësive administrative, të përcaktuara në udhëzimin e Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave”, që miratohet çdo vit”, thuhet në pikën 5 të vendimit.Punonjësi i policisë duhet të paraqesë disa dokumente për përfitimin e pagesës.

  1. a) Kërkesë me shkrim, pranë njësisë buxhetore ku është i punësuar; 
  2. b) Fotokopje të kartës së identitetit, certifikatën e gjendjes familjare;
  3. c) Kontratën e noterizuar të qirasë së banesës ku është i transferuar;
ç) Vërtetim nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme se ai nuk ka banesë në juridiksionin ku është transferuar;d) Vërtetim nga ALUIZNI se punonjësi i policisë nuk ka aplikuar për legalizim banese në juridiksionin ku është transferuar.Punonjësi i policisë që përfiton trajtim me qira banese nuk do të trajtohet me pagesë për kompensim udhëtimi, ndërsa përfitimi i pagesës vazhdon deri në ndryshimin e vendbanimit./Ora News/