Basha: Vazhdimi i bashkëpunimit me qeverinë, garanci për suksesin e projekteve

Vota për Partinë Demokratike më 23 qershor është garanci për realizimin e projekteve të nisura në qytetin e Tiranës. Kështu është shprehur Kryebashkiaku Lulzim Basha, gjatë një bashkëbisedimi me banorë të njësisë bashkiake numër 3.Sipas tij me dhjetëra projekte të mbështetura financiarisht edhe nga qeveria, po përfundojnë dhe nisin së shpejti në këtë njësi bashkiake, duke sjellë përmirësim të cilësisë së jetës të banorëve të kësaj njësie.“Bashkëpunimi me qeverinë shqiptare nuk është thjesht i mishëruar në marrëdhënien midis Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, është një marrëdhënie që shkon drejtpërdrejt në avantazh të standardit të jetës së qytetarëve të Tiranës dhe fëmijëve të tyre dhe për të realizuar projekte nga më të thjeshtat e më të nevojshmet që kanë 11 apo 20 vjet që nuk janë realizuar, deri tek ato të mëdhatë që nuk i kemi menduar ndonjëherë por mund dhe do i bëjmë. Ku ka dëshirë për t’u shërbyer qytetarëve, ku pushteti shihet jo si ambicie personale, aty ka edhe mundësi për zhvillim” u shpreh Basha.Në njësinë bashkiake nr. 4, Kryebashkiaku Basha ka bashkëbiseduar me gra dhe vajza të kësaj njësie bashkiake. Basha shprehu bindjen se ashtu siç gratë u bënë promotorë të ndryshimit më 8 maj 2011, më 23 qershor  ato do të jenë promotorë të vazhdimit të procesit të integrimit, mirëqenies dhe zhvillimit për Tiranën dhe Shqipërinë.“Ju na jepni energji, forcë, shpresë dhe optimizëm por ju kërkoj që puna juaj, bindja që ju rrezatoni të shpërndahet si një uragan në të gjithë rrugët e rrugicat e njësisë nr.4, të gjithë qyteti të Tiranës për të bërë të mundur fitoren e 23 qershorit, për të bërë të mundur fitoren e shpresës, dëshirën për më të mirën e familjeve tuaja, të mirën tuaj mbi errësirën, për të bërë të mundur ëndrrën e Tiranës  moderne dhe evropiane” tha Basha.