Johnson: BE po tenton të krijojë 'Shtetet e Bashkuara të Evropës
Kur kanë mbetur vetëm disa javë nga dita e referendumit për çështjen Brexit, ish-kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson është përplasur me Presidentin e Komisionit Evropian Zhan Klod Juncker, duke deklaruar se BE-ja po tenton që të krijojë një super shtet evropian, apo siç e quajti ai, Shtetet e Bashkuara të Evropës.Ai bëri edhe njëherë thirrje që qytetarët britanikë t'i thonë jo qëndrimit brenda bllokut me 28 anëtarë, duke sqaruar edhe pozicionin e tij në lidhje me këtë çështje."Në asnjë pikë të argumenteve të mia unë nuk kam thënë se do t'a shkëpusim Britaninë nga përfshirja në çështje madhore ndërkombëtare sic janë takimet për mbrojtjen, sigurinë, shërbimet inteligjente apo emigracionin. Unë mendoj se këto problematika mund të trajtohen në nivel ndërqeveritar dhe nuk kanë pse të udhëzohen politikisht nga Brukseli. Pra, ne nuk kemi nevojë për një supershtet federal evropian, ose për krijimin e Shteteve të Bashkuara të Evropës", u shpreh Johnson.Nga ana tjetër, Presidenti i Komisionit Evropian, Zhan Klod Juncker duke folur nga samiti i 42-të i G7-tës, u shpreh se deklaratat e Johnson për BE-në nuk janë aspak realiste. Jucker u shpreh ironikisht se e ka ftuar konservatorin britanik në Bruksel, për t'i vërtetuar se Bashkimi Evropian funksionon në mënyrë të ndryshme nga ajo që pretendon ish-kryebashkiaku i Londrës.