Furgoni i mallrave përplaset me bordurën e rrugës, plagosen 3 anëtarë familje
Tre anëtarë të një familje janë plagosur si pasojë e një aksidenti automobilistik në rrugën Milot-Rrëshen. Aksidenti ndodhi rreth orës 14:00 të së dielës në afërsi të Rubikut.Tre personat udhëtonin me një furgon mallrash, teksa drejtuesi i mjetit humbi kontrollin dhe u përplas me bordurat mbrojtëse të rrugës. Përplasja ka qenë e fortë, duke bërë që mjeti të kapërdihet në anë të rrugës.Për pasojë kanë mbetur të plagosur tre personat të cilët udhëtonin në të dy gra dhe një burrë. Ata janë dërguar menjëherë në spitalin e Rrëshenit për të marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa bëhet e ditur se tre të plagosurit ndodhen jashtë rreziku për jetën.Policia rrugore e cila ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes bëri të ditur se shkak për aksidentin është bërë shpejtësia me të cilën po lëvizte drejtuesi i furgonit çka ka bërë që të humbasë kontrollin e mjetit dhe të përplaset me bordurën anësore të rrugës.Rritja e numrit të automjeteve në rrugët e Qarkut të Lezhës ka rritur edhe numrin e aksidenteve rrugore ku vetëm gjatë këtij muajit janë shënuar një numër i konsiderueshëm, duke mos munguar as viktimat.Ky është një sinjal për policinë rrugore për të marrë masa me shtim të patrullimeve në vendet ku janë njolla të zeza për aksidente.