Haxhinasto: Shtim të policimit rrugor, forcim të masave për marrjen e patentës

Sinjalistika nuk është i vetmi element që ka ndikuar në aksidentet e shumta të ndodhura kohët e fundit.Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, gjatë një inspektimi në rrugën Kukës-Morinë ka kërkuar më shumë kontrolle të policisë rrugore, por edhe forcim të standarteve të dhënies së lejeve të drejtimit.Haxhinasto: Përmirësimi i standartit të rrugëve mund ti motivojë njerëzit të ecin më shpejt dhe të injorojnë detyrimet që kanë ndaj atij segmenti rrugor lidhur me shpejtësinë apo rregullat e qarkullimit. Dhe kjo nuk duhet të ndodhë. Çështja e sigurisë rrugore është pa diskutim çështje e standartit të rrugës, investimeve që bëhen në të, por jo vetëm. Është gjithashtu çështje e policimit të rrugëve dhe besoj se ka nevojë për forcimin e policimit të rrugëve, është gjithashtu çështje e cilësisë dhe kontrollit të proçesit të dhënies së lejeve të drejtimit.Ministri Haxhinasto inspektoi nga afër punimet në lotin e parë të segmentit Kukës-Morinë ku vazhdon projekti për ndërtimin e pesë urave, ndërkohë që pritet të përfundojë brenda vitit.Haxhinasto: Autoriteti Rrugor Shqiptar duhet të alokojë dhe shumën e nevojshme që loti i parë të përfundojë të paktën brenda këtij viti. Dhe sigurisht pastaj me mundësi të reja  financimi të përfundojmë dhe lotin e dytë që të plotësojmë të gjithë segmentin Kukës-Morinë, duke e hapur dhe sjellë në standart këtë rrugë shumë të rëndësishme.Ndalesa e fundit e Ministrit ishte në aksin Thumanë-Fushë Krujë.Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Gjika, i bëri apel kompanisë kontraktore që të marrë masa për sinjalistikën provizore.