Bushati: Reforma në drejtësi kërkon angazhim serioz të forcave politike
Në ditën e dytë të qëndrimit në Bullgari, Ministri Bushati u takua me Presidentin e Bullgarisë, Rosen Plevneliev dhe mori pjesë në Sesionin e 126-të të Ministerialit të Këshillit të Evropës, i cili zhvilloi punimet në Sofje.Në fjalën e tij, Ministri Bushati vlerësoi raportin e paraqitur nga Sekretari i Përgjithshëm Jagland mbi rolin e Këshillit të Evropës në realizimin dhe avancimin e sigurisë demokratike të kontinentit tonë. Duke u ndalur në shtyllën e parë të sigurisë demokratike, sistemit gjyqësor të paanshëm dhe të pavarur, Ministri Bushati theksoi se: "Shqipëria me kontributin e posaçëm të Komisionit të Venecias ka ndërmarrë një reformë të thellë, të plotë dhe gjithëpërfshirëse të sistemit të drejtësisë. Reforma kërkon një angazhim serioz dhe kompromisin e të të gjitha forcave politike në vend, pasi miratimi i kësaj reforme përbën një kusht sine qua non për axhendën evropiane të vendit".Në takimin me Presidentin Plevneliev, palët evidentuan marrëdhëniet shumë të mira tradicionale të miqësisë që ekzistojnë mes dy vendeve tona si dhe shprehën vullnetin e përbashkët për avancimin e këtyre marrëdhënieve në një nivel më të lartë. Në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit në fushat me interes të ndërsjellë, bashkëbiseduesit theksuan veçanërisht rëndësinë e ndërlidhjes energjetike dhe infrastrukturore midis Shqipërisë dhe Bullgarisë.