Daçiç: Pala kosovare s’ka vullnet për themelimin e Asociacionit

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, tha sot në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se Beogradi është i angazhuar për dialog konstruktiv me Prishtinën dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani. Por Prishtina nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme në këtë fushë, sidomos kur bëhet fjalë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, njofton Klan Kosova.“Për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe krizës së institucioneve në Prishtinë më vjen keq që ende nuk janë respektuar dispozitat kyçe të marrëveshjes së Brukselit lidhur me themelimin dhe funksionimin e Asociacionit”.Ai tha se rrethanat në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë janë ende shumë komplekse dhe Serbia pret nga bashkësia ndërkombëtare, kryesisht nga Kombet e Bashkuara, ndihmë të vazhdueshme në ndërtimin e besimit, si e vetmja bazë për një jetë normale për të gjithë në Kosovë.“Serbia konsideron se angazhimi drejt integrimit europian është forca kryesore lëvizëse e normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, me shpresën se Bashkimi Europian të vazhdojë ta lehtësojë dialogun”.Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kushtuar Kosovës, Daçiç përsëriti rëndësinë e forcimit të pranisë së UNMIK-ut për Serbinë, serbët dhe komunitetet tjera joshqiptare që jetojnë në territorin e Kosovës, duke shprehur shpresën që në të ardhmen UNMIK-u të vazhdojë me zbatimin e mandatit të tij, në përputhje me Rezolutën 1244.