Mesazhet e veçanta për Kosovën në UEFA: Ky është goli më i bukur në histori!

Për anëtarësimin e Kosovës në UEFA, erdhën urime të shumta nga politikanët në trojet shqiptare.Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka cilësuar si lajmin më të mirë për vendin anëtarësimin në UEFA. Thaçi thekson se pavarësisht nëse do të fitohet apo do të humbet, kurrë më Kosova nuk do të dalë nga fusha e gjelbër.Hashim Thaçi:Kosova në UEFA! Lajmi më i mirë i mundshëm për tifozët e panumërt në Republikën tonë. Tash e tutje do të luajmë në kampionate ndërkombëtare - disa lojë do t'i fitojmë, disa do t'i humbim, por kurrë më s'do të na ndalin nga fusha e gjelbër. Urime Fadil Vokrrit dhe federatës, urime lojtarëve të kombëtares sonë, urime të gjithë qytetarëve. Edi Rama:“Kosova në UEFA! Urime vëllazërore dhe një Big Like gjithë atyre që punuan për këtë arritje kaq të rëndësishme ‎Forca Kosovë”Isa Mustafa:Ndihem shumë i lumtur dhe krenar që shteti ynë sapo arriti edhe një sukses kulminant historik.  Futbolli kosovar nga sot është anëtar i familjes evropiane të futbollit, UEFA-s. Shumë shpejt edhe i FIFA-s. Kosova po përjeton një periudhë të sukseseve të jashtëzakonshme.  Rezultatet kulminante, produkt i përkushtimit tonë dhe përkrahjes së miqve ndërkombëtar, do të vazhdojnë në ditët në vijim. Të ndihemi krenar me Atdheun tonë!Ish-Presidentja Atifete Jahjaga:  Kosova sot shënoi golin më të bukur në historinë e saj të futbollit, anëtarësimin në UEFA. Ky hap është kurorëzim i shumë përpjekjeve diplomatike dhe një të drejte të pamohueshme për sportistët, që sot janë bërë ambasadorët më të zëshëm të vendit tonë, të cilët po na bashkojnë të gjithëve me krenari rreth flamurit të Republikës së Kosovës.Sot më shumë se kurrë, përkujtojmë sakrificën e gjeneratave të kaluara, të cilat luajtën nëpër fusha të improvizuara me kushte minimale, me baltë, duke ëndërruar që golat e tyre një ditë do të tejkalonin kufijtë.Sot kjo ëndërr u bë realitet. U mbetet sportistëve të rinj të vazhdojnë të na bëjnë kampionë dhe të jenë krenarë që përfaqësojnë një shtet, qytetarët e të cilit me zemër do t'i mbështesin në secilin hap dhe në secilin gol drejt triumfit.Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së:Urime Kosovë pranimin në UEFA!Një lajm i mrekullueshëm për sportistët, aktivistët sportiv, për shumë talentë te rinj të futbollit dhe për vet shtetin e Kosovës.Një falenderim dhe mirënjohje e veçantë për të gjithë sportistët kulmorë të Kosovës si dhe për Kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, si dhe bashkëpunëtorët e tij për kontributin e çmuar përgjatë gjithë procesit të pranimit të FFK-së në UEFA. /Ora News/