Gjiganti bankar HSBC rënie drastike të fitimeve
Gjiganti bankar HSBC ka raportuar një rënie me 14% në fitime për tremujorin e parë të këtij viti, pas "nivelit ekstrem të luhatshmërisë" në tregjet financiare në fillim të vitit.Nga janari në mars të 2016 fitimi mbi tatimin kapi shifrën e 6.1 miliardë dollarëve, nga 7.1 miliardë që ishte një vit më parë.Megjithatë, analistët kishin parashikuar rënie akoma më të madhe në fitime. Kreu ekzekutiv i bankës HSBC Stuart Gulliver tha se banka i ka përballuar mirë kushtet e vështira të tregut. Pritet gjithashtu që banka e përfshirë më herët në disa skandale, emri i së cilës u përmend edhe në megaskandalin e Panama Papers, të njoftojë shkurtime të mëtejshme të vendeve të punës.Më herët gjithashtu u deklarua se banka do të vendosë një ngrirje globale në pagë dhe punësimin për të ulur shpenzimet deri në fund të vitit 2017. Edhe të ardhurat shënuan rënie me 4 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, ose 13.9 miliardë dollarë.HSBC ka pasur selinë e saj në Britani të Madhe që nga viti 1993, por institucioni financiar aktivitetin më të madh e zhvillon jashtë shtetit, veçanërisht në Azi. Aksionet e bankës janë të listuara në Londër, Paris, Nju Jork dhe Hong Kong.Rënie të të ardhurave në tremujorin e parë të 2016 ka shënuar edhe banka zvicerane UBS, kurse ajo franceze BNP ka raportuar një rritje me 3.4% në tremujorin e pare./Ora News/