Vendet ku është shumë e vështirë të punosh si gazetar
Që prej dhjetorit të vitit 1993, Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e ka caktuar datën 3 maj Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias. Kjo është një hapësirë për të festuar principet e lirisë mediatike, por në të njëjtën kohë edhe një mundësi për të nxjerrë në pah problemet dhe kërcënimet më serioze që i kanosen shtypit. Po në çfarë gjendje ndodhet sot media në botë?Në disa shtete, profesioni i gazetarit është thuajse i pamundur! Mjafton të përmendim këtu Arabinë, në të cilën gazetarët torturohen për vdekje, Irakun në të cilin ata rrëmbehen, Kinën, ku ata futen në burg, Meksikën, ku baronët e drogës i përndjekin si dhe tek e fundit, Lindjen e Mesme, ku shumë korrespondentë janë ekzekutuar përpara kameras.Por përveç rasteve ekstreme, shumë shtete po mundohen që ta vrasin median me mënyra të tjera. Qeveria polake përdori parlamentin për të marrë në dorë kontrollin e plotë të televizionit dhe medias shtetërore.Nga ana tjetër, Presidenti Vladimir Putin përmes metodave të tij autoritare ka arritur që ta kthejë shtypin në favor të tij. Por në qendër të kritikave është vendosur edhe Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan.Gjatë muajve të fundit, qeveria turke ka shtrirë kontrollin e saj mbi ish-gazetën opozitare “Zaman”, ka bllokuar sinjalin e transmetimit të një televizioni privat si dhe ka tentuar të dënojë me burgim të përjetshëm dy gazetarët e gazetës “Cumhurriet”, Can Dundar dhe Erdem Gul. Por veprime të tilla nuk janë shtrirë vetëm brenda Turqisë. Vetëm pak javë më parë, qeveria turke i kërkoi Gjermanisë që të procedonte penalisht satiristin Jan Böhmermann, për shkak se ky i fundit kishte publikuar një material në të cilin ironizonte Presidentin Erdogan.Po të hedhim sytë nga vendet më të vlerësuara për lirinë e shtypit, organizata Reporterët pa kufij, gjykon se shteti më i përparuar në këtë aspekt është Finlanda, e cila e mban ketë pozicion prej pesë vitesh. Pas saj vjen Holanda, e cila ka ligje mjaft të ashpra për këdo që cenon pavarësinë e medias.Ndërkohë, në vend të tretë radhitet Norvegjia. Nga ana tjetër, tre vendet me rekordet më negative në aspektin e lirisë mediatike janë tre shtetet diktatoriale, Turkmenistani, Koreja e Veriut dhe Eritrea, të cilët zënë respektivisht pozicionet 178, 179 dhe 180.Në këtë listë Shqipëria zë vendin e 82-të. Në një raport të Komisionit Evropian nënvizohet se vendi ynë mund të bëjë më mirë, pasi ekzistojnë ligjet për mbrojtjen e lirinë e shprehjes dhe të medias, por zbatimi i tyre lë për të dëshiruar./Ora News/