Westerwelle,Serbisë: Kushti i vetëm, zbatimi i marrëveshjes

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle, tha sot në Beograd se në Bruksel është arritur një marrëveshje historike, por se tani e rëndësishme është që ajo të zbatohet.“Dua t’ju inkurajoj që marrjen e vendimeve të vështira ta bëni në mënyrë të drejtë dhe me guxim”, ka thënë Westerwelle pas mbërritjes në aeroportin e Beogradit, ku është pritur nga zëvendëskryeministri serb Aleksandër Vucic, transmeton Blic.“Dy vendet tona janë evropiane. Edhe ne, edhe ju, jemi pjesë e Evropës dhe partnerë të barabartë. Ndaj, dua të jap kontributin që negociatat e vështira, të cilat dhanë një vendim historik me 19 prill, të zbatohen me sukses”, ka thënë shefi i diplomacisë gjermane.Vucici ka deklaruar se Beogradi e di “se cilat janë kërkesat e Gjermanisë” dhe se Westerwellen do ta interesojë, mbi të gjitha, ajo se çfarë mund të bëhet me implementimin e Marrëveshjes së Brukselit.Në pyetjen nëse Gjermania do ta bllokojë Serbinë në marrjen e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, dhe nëse duhet plani për implementimin e asaj që është nënshkruar në Bruksel, Westerwelle ka thënë: “Është me rëndësi që të arrihet marrëveshja për planin e zbatimit dhe implementimin e atij plani, hap pas hapi, jo përnjëherë, dhe që të shihen përparimet në këtë. Ky është kushti kryesor i Serbisë drejtë BE-së”.Ndërkohë Vucic tha se ai beson se Serbia do të marrë datën e fillimit të negociatave me BE-në në muajin qershor.Westerwelle do të bisedojë nesër edhe me presidentin e Serbisë, Tomislav Nikolic, kryeministrin Ivica Dacic dhe shefin e diplomacisë serbe, Ivan Mrkic, thonë burimet e Tanjugut.Mediat gjermane kanë cituar vlerësimin e zëdhënësit të MPJ-së gjermane, Martin Seffer, se qëllimi i vizitës së Westerwelles është që Marrëveshja e Brukselit ta ketë një plan zbatimi, sepse implementimi është kusht për afrimin e Kosovës dhe Serbisë në BE.Të hënën Westerwelle do të qëndrojë edhe në Prishtinë, ku do të takojë kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj.