Thaçi optimist për planin e zbatimit

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur optimist se në takimin e radhës me homologun e tij nga Serbia, Ivica Daçiç, do të arrihet dakordimi për planin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit.Takimi i radhës Thaçi- Daçiç, pritet të mbahet më 21 maj në Bruksel me ndërmjetësimin e shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton.Thaçi tha para kabinetit të tij qeveritar se pret që me palën serbe të merren vesh në lidhje me detajet e planit implementues të marrëveshjes, ku përfshihen afatet, veprimet, aktorët dhe monitorimi i zbatimit.“Besoj që do të arrihet marrëveshja në kuptimin e periudhave kohore implementuese dhe akterëve implementues që duhet të jenë institucionet e Republikës së Kosovës, EULEX-i, KFOR-i, OSBE-ja, dhe natyrisht në bazë të përgjegjësisë që del nga marrëveshja për krijimin e rrethanave lehtësuese edhe nga Serbia”, ka thënë Thaçi.Kryeministri Thaçi tha se implementimi i marrëveshjes paraqet një sfidë për palët e përfshira.Por, sipas tij, zbatimi është çështje jetike dhe e domosdoshme, pasi që sipas tij, në këtë proces nuk do të ketë më kthim prapa.“Qëllimi dhe vizioni ynë është që të punojmë sa më tepër me të gjithë qytetarët kudo që jetojnë pavarësisht dallimeve etnike. Të punojmë bashkë për realizimin e objektiva të përbashkëta edhe me serbët që jetojnë në veri, në mënyrë që të krijohen rrethana të reja demokratike, të organizimit të zgjedhjeve të lira, të vazhdojmë me investime socio-ekonomike, të krijojmë rrethana të reja për një jetë shumë më të mirë dhe më të sigurt”, është shprehur Thaçi.Takimi Thaçi- Daçiç rreth planit të zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit, pasoi dështimin e dy raundeve të bisedimeve në nivele më të ulëta politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Tani të dy kryeministrat pritet të vendosin dhe eventualisht dakordohen për hapat e zbatimit në terren të 15 pikave të marrëveshjes, e cila kryesisht ka të bëjë me formimin dhe kompetencat e asociacionit të komunave serbe në Kosovë.