Dialogu teknik pa marrëveshje
Ekipet e Prishtinës dhe të Beogradit nuk arrijnë në marrëveshje në bisedimet teknike.Shefi i delegacionit serb, Dejan Paviçeviç ka vlerësuar si shumë pozitiv takimin e djeshëm në Bruksel, duke nënvizuar se ka pasur konstruktivitet të madh nga të dy palët. Gjatë këtij takimi nuk janë diskutuar temat e telekomunikacionit dhe energjetikës."Tani për tani nuk është arritur asgjë konkrete, por ka pasur përparim dhe mendoj se është e mundur që të arrihet marrëveshje, por ka ende disa gjëra që duhet të bisedohen", ka thënë Paviçeviç, duke vlerësuar se në takim janë kthyer ato pika që konsideroheshin të vdekura."Është folur për shumë gjëra, janë shumë çështje komplekse dhe ato që janë të lidhura për telekomunikacion, si funksionimi i telefonisë fikse dhe celulare, por edhe në energjetikë, siç është distribucioni", është shprehur Paviçeviç, transmeton Rel.Prishtina dhe Beogradi kanë arritur deri më tani një sërë marrëvshjesh në kuadër të dialogut teknik në Bruskel, por zbatimi i tyre ka ngecur.As marrëveshja për normalizim raportesh, e arritur mes dy kryeministrave, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçic, në muajin prill në Bruksel, nuk ka nisur ende të zbatohet.Kjo ngecje në zbatim ka detyruar të dy kryeministrat që të takohen sërish në 21 Maj, në një përpjekje për të gjetur një gjuhë të përbashkët për zbatimin e marrëveshjes, që është dhe çelësi i suksesit për të dyja vendet në rrugën drejt BE. Ndërkohë që është shtuar dhe presioni ndërkombëtar për zbatimin e marrëveshjes, në kuadër të këtyre diskutimeve pritet dhe vizita e ministrit të jashtëm gjerman, Guido Vestervele, në Beograd dhe Prishtinë.