Azdren Llullaku pranon ftesën për t'iu bashkuar kuqezinjve per sfidën ndaj Norvegjisë
Ditët e fundit është folur shumë rreth talenteve që refuzojnë Kombëtaren Shqiptare dhe atyre që pranojnë me kënaqësi të veshin fanellen Kuqezi. Pas një lajmi të keq vjen gjithmonë një i mirë dhe kështu po ndodh edhe me talentet e kombëtares tonë. Pas refuzimit të mbrojtësit kosovar Mustafi vjen një lajmi i mirë për kombëtaren dhe adhuruesit e saj të zjarrtë. Ajo që është përfolur ditë më parë, tashmë është zyrtare, sulmuesi i Gaz Metan në Rumani, Azdren Llullaku ka marrë ftesë nga trajneri italian Gianni De Biazi për sfidën e 7 qershorit kundër Norvegjisë.Në një prononcim për portalin "Asport.info", Lullaku ka thënë se ka marrë ftesë nga Kombëtarja Shqiptare dhe do të jetë i pranishëm në grumbullimin e kësaj të fundit në Durrës. "Nga data 29 maj do t'i bashkohem Kombëtares Shqiptare. Nuk e di nëse do të luaj ose jo, zgjedhjet i bën trajneri por unë nëse luaj, do të jap maksimumin", ka thënë Llullaku nga Rumania. 25 vjeçari ka konfirmuar se edhe problemi i pasaportës është zgjidhur: "Akoma nuk e kam në duar pasaportën por më është konfirmuar se gjithçka është në rregull dhe do ta marrë para ndeshjes me Norvegjinë".Në një kohë kur kombëtarja shqiptare po vuan mungesat e disa lojtarve të rëndësishem për shkak dëmtimesh dhe kartonash drejtuesit kuq e zi janë hedhur në kërkim të alternativave zëvendësuese. Tekniku De Biazi i njohur tashmë si njeriu i zbulimeve të reja në kombëtare po bën të pamundurën që lojtarët që angazhohen nëpër klubet europiane të bëhën pjesë e kuqezinjve sa më shpejt të jetë e mundur për ndërtuar një ekip kompakt për të ardhmen. Bashkë me Llullakun pritet që kombëtares tonë ti bashkohen edhe tre lojtarë me origjinë kosovare por që kanë luajtur me ekipet e moshave të Zvicrës. Bëhet fjalë për Agon Mehmetin, Armir Abrashin dhe Vullnet Basha. Për të tre këta lojtarë kanë nisur proçedurat për tu afruar në kombëtare dhe pritet që gjithçka të zgjidhet para ndeshjes së 7 qershorit kundër Norvegjisë.