Amnistia e politikanëve në Maqedoni, SHBA e shqetësuar: Po kërkojmë sqarime

Misionet e huaja në vend, të cilat prej më shumë se 1 vit tentonin të lehtësonin krizën, kanë shprehur habi nga vendimi drastic i kreut të shtetit. Pavarësisht se në reagimet e tyre kërkohej sqarim shtesë, SHBA-ja dhe Britania thanë se vendimi është shumë shqetësues për demokracinë e vendit.Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup ka reaguar menjëherë lidhur me vendimin e Presidentit Gjorge Ivanov për faljen e të gjithë politikanëve që janë nën hetim.Në një deklaratë të shkurtër, Ambasada thotë se:“Po kërkojmë detaje dhe sqarime të mëtejshme. Deklarata e Presidentit gjithsesi ngre shqetësime serioze rreth angazhimit të Maqedonisë për mbisundimin e të drejtës”.Reagim thuajse i ngjashëm edhe nga Ambasada Britanike.“Deklarata e presidentit gjatë pasdites duhet të sqarohet. Për sa kohë që vendimi për të falur politikanë, vlen edhe për hetimet ndaj akuzave të paraqitura në materialet e përgjuara, kjo do të ishte shumë shqetësuese. Hetimi i plotë i këtyre akuzave dhe procesi i duhur ligjor, janë elemente thelbësore nga Marrëveshja e Përzhinës. Si të tilla, ato janë të rëndësishme për cdo zgjidhje reale të krizës aktuale politike”, njoftojnë nga Ambasada e Britanisë.Edhe ndërmjetësi belg Piter Vanhojte shkruante në llogarinë e tij në tuiter se me këtë deklaratë të presidentit janë rrënuar vlerat themelore të BE-së.“Vlerat themelore të BE-së morën fund. Nuk ka demokraci pa ato”, u shpreh Pitter Vanhojte.Po ashtu, në një tjetër mesazh të mëvonshëm, duke ilustruar qëndrimin e tij me dicitura të vendosura në foto me mace, Vanhojte shkruante:“Nuk ka më llogaridhënie për bosët. Lamtumirë Maqedoni, një vend pa drejtësi. Ky është fundi i ëndrrës për integrim në BE. Vetëm njerëzit mund të kthejnë të ardhmen evropiane”.