Arrestohet bashkëpunëtori i Abdeslam, dyshohet se është personi me kapele

Mohamed Abrini, personi i fundit i cili ishte në arrati dhe dyshohet se ka lidhje me sulmet që tronditën sulmet e Parisit, është arrestuar më në fund nga policia belge. Lajmi është konfirmuar edhe nga prokuroria e cila ka njoftuar se në pranga kanë përfunduar dhjetëra persona të tjerë që mendohet se janë të përfshirë në aktet terroriste që goditën Brukselin. Megjithatë, zyrtarët nuk kanë dhënë shumë detaje për të respektuar hetimet që vijojnë. Prokurorët dyshojnë se sulmet e Parisit dhe ato të Brukselit janë organizuar nga njëjta celulë e Shtetit Islamik në Europë. Policia belge ka arrestuar të dyshuarin e fundit që ishte në arrati dhe që besohet të ketë lidhje me sulmet e Parisit, Mohamed Abrini. 31-vjeçari ishte shpallur në kërkim prej pesë muajsh, por vënia e tij në pranga u bë e mundur gjatë ditës së premte. Ai u arrestua në një stacion metroje në distriktin Anderlecht të Brukselit.Ende nuk dihet roli specifik i Abrinit në sulmet e Parisit, por autoritetet kanë zbuluar disa fotografi të tijat me të arrestuarin tjetër, Salah Abdeslam, i cili ishte i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në aktet terroriste që goditën kryeqytetin e Francës. Disa media vendase kanë raportuar se Mohamed Abrini mund të jetë terroristi i ashtëquajtur 'personi me kapele', i cili për arsye ende të paditura vendosi që të mos e hedhë veten në erë në aeroportin Zaventem te Brukselit. Megjithatë, një lajm i tillë nuk është konfirmuar nga policia.Nga ana tjetër, autoritetet kanë bërë me dije se kanë mundur të arrestojnë dhjetëra persona që dyshohet të kenë lidhje me sulmet që goditën Brukselin. Vënie e tyre në pranga erdhi pas një operacioni të koordinuar. Mes tyre është edhe një shtetas i quajtur Osama K, mbiemri i të cilit nuk bëhet i ditur për të rrespektuar hetimet që vijojnë. Ai mendohet se ka ndihmuar terroristin Khalid El-Bakraoui që të hedhë veten në erë në stacionin Maalbeek të Brukselit.Autoritetet nuk kanë dhënë shumë detaje, por kanë deklaruar se do të dalin me një qëndrim zyrtar brenda një afati të pacaktuar. Prokurorët dyshojnë se sulmet e Parisit dhe ato të Brukselit janë organizuar nga njëjta celulë e Shtetit Islamik në Europë./Oranews.tv/