Policia kufitare mund të marrë pjesë në operacionet eskortim-kthimi
Forcat e policisë kufitare shqiptare mund të marrin pjesë në operacione eskortimi-kthimi të shtetasve të ndryshëm drejt vendeve të origjinës.Kjo u diskutua sot nga numri dy i agjencisë evropiane për kufirin FRONTEX, Berndt Koerner me zv/drejtorin e Policisë së Shtetit, Rebani Jaupi, ku u theksua se kjo mund të arrihet falë eksperiencës së përfituar në kuadër të trajnimeve të zhvilluara nga FRONTEX, për të cilën është i nevojshëm jo vetëm fuqizimi i kapaciteteve dhe bashkëpunimi me vendet anëtare të FRONTEX, por dhe rishikimi i detajeve teknike dhe legjislative.Përfaqësuesit e Policisë Kufitare dhe Migracionit, me numrin e trajnuesve në rritje të përgatitur nga FRONTEX, shprehën dakordësinë dhe vullnetin për të marrë pjesë së bashku me FRONTEX në shpërndarjen e këtyre njohurive në trajnimet, që mund të bëhen për këtë çështje në vendet e tjera të rajonit.Punonjësit e strukturave të Policisë Kufitare dhe Migracionit kanë marrë pjesë aktive në Operacionet e Përbashkëta të organizuara nga FRONTEX, ku në kuadër të këtyre operacioneve, bëhet një ndërthurje e punonjësve të Policisë Kufitare të Shqipërisë në vendet e BE dhe ekspertëve të vendeve të BE, që vendosen në vendin tonë, duke dhënë ndihmesën e tyre nëpërmjet eksperiencës dhe praktikave më të mira të vendeve të tyre në fusha të ndryshme si: kontrolli në vijën e dytë, dokumentet e falsifikuara, zbulimi i automjeteve të vjedhura etj.Zëvendësdrejtori i FRONTEX konfirmoi mbështetjen e tij për Policinë Shqiptare dhe vlerësoi projektligjin e ri për kontrollin kufitar, i cili do të jetë në përputhje të plotë me legjislacionin e BE në përgjithësi dhe specifikisht me Kodin e Kufijve Schengen, për të siguruar një kontroll kufitar të standardeve evropiane dhe për të përballuar sfidat e sigurisë kufitare./Ora News/