Meta: Do t’i japim fund neglizhencës së jashtëzakonshme për infrastrukturën në Berat

Kreu i LSI-së akuzon Kryeministrin për neglizhencën në infrastrukturën rrugore në Berat. Sipas kryetarit të kësaj force politike rruga Berat-Çorovodë ka mbetur pa përfunduar që prej vitit 2005 dhe premton se me ardhjen në pushtet do të ndryshoj gjithcka. Sipas kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim demagogjia e Kryeministrit aktual lidhur me sukseset e pafundme me rrugët e asfaltuara po përplaset çdo ditë me një realitet të dhimbshëm për shumë qytetarë.“Unë përmenda vetëm dy ditë më parë gjendjen skandaloze të rrugës nacionale Memaliaj-Tepelenë dhe sot më duhet të them këtu në hyrje të qytetit Çorovodë ku që nga viti 2005 ka ngelur papërfunduar rruga Berat-Çorovodë vetëm për tre kilometra, edhe pse kjo gjë është premtuar vazhdimisht gjatë këtyre tetë viteve nga ana e Partisë Demokratike dhe pse kjo gjë na është premtuar neve çdo vit me rastin e miratimeve të buxhetit të vitit në Kuvend si Grup Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Edhe unë personalisht, edhe deputeti i Qarkut të Beratit dhe i Skraparit, z. Naço, kemi ngritur vazhdimisht këtë çështje e cila nuk ka marrë zgjidhje edhe sot pas këtyre 8 vitesh. Ndaj më duhet të them përsëri me bindje të plotë se shiritat elektoralë që pret Kryeministri në largim janë shumë më të gjatë se kilometrat e rrugëve të asfaltuara që pretendohen. Ne jemi të angazhuar për t’i dhënë fund kësaj neglizhencë të jashtëzakonshme që i bëhet një komuniteti të tërë dhe njëkohësisht kësaj pengese madhore për të gjithë vizitorët vendas dhe të huaj për të shijuar bukuritë përrallore të kanioneve të Osumit” u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.Lëvizja Socialiste për Integrim ka ngritur gjithmonë shqetësimin në lidhje me gjendjen shumë të keqe të infrastrukturës në Qarkun e Beratit. Lideri LSI-së ka bërë thirrje gjithmonë që vëmendja të jetë më e madhe në këtë qark edhe për faktin se turizmi në Berat po dëmtohet nga mungesa e infrastrukturës.