ODHIR asnjë koment për KQZ: Zgjedhjet të jenë të lira dhe transparente
Ekipi monitorues i ODIHR-it në komunikimin e parë me mediat në ditën e tretë të qëndrimit në Shqipëri dhe pse u treguan të kursyer në komentet rreth realitetit politik aktual, nuk kanë mundur ta fshehin qartazi shqetësimin lidhur me situatën paszgjedhore, cfarë në një farë mënyrë justifikon dhe zgjatjen e qëndrimit të tyre në vendin, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Gjatë konferencës për shtyp, kryesuesja e vëzhguesve , ekspertja amerikane Conny McCormak, i mëshoi shumë faktit se qëllimi dhe detyra e këtij misioni ka të bëjë vetëm me monitorimin e të gjithë procesit dhe asgjë përtej kësaj.
“Misioni sapo ka filluar nga puna të hënën, patëm takim me Ministrin e Jashtëm dhe më pas me KQZ. Qëllimi është të bëjmë një vlerësim të zgjedhjeve që do jenë në qershor në përputhje me standardet e OSBE dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë në përputhje edhe me legjislacionin vendas. Misioni i fundit i ODHIR në Shqipëri ishte për zgjedhjet vendore. Ekipi kryesor do qëndrojë në Tiranë, janë 15 ekspertë nga 14 shtete të ndryshme. Ekipi do të monitorojë fushatën elektorale, vlerësim të kuadrit ligjor të amenduar, administrimin e zgjedhjeve, regjistrimin e votuesve dhe zbatimin e teknologjive të reja zgjedhore dhe mbulimin e medias. Në fillim të javës së ardhshme do të vinë vëzhguesit afatgjatë, 30 prej tyre, pas një trajnimi të shkurtër do shpërndahen në gjithë Shqipërinë. Përvec këtyre ODHIR ka kërkuar dhe 400 vëzhgues afatshkurtër, të cilët do monitorojnë hapjen e qëndrave të votimit, procesin e votimit dhe më pas numërimin. Sa i përket kohëzgjatjes, është një procedurë e zakonshme për të ndjekur situatën postzgjedhore, në Shqipëri duhen disa ditë për të nxjerrë rezultatet, jemi të qartë që pa pasur probleme në nxjerrjen e rezultatit dhe kemi pasur kërkesa nga palët për të qenë këtu. Pra është çështje operative” tha ajo.Më tej McCormak sqaroi se synim i punes eshte vezhgimi bazuar mbi parimet e paanesise, ndërsa theksoi se raporti përfundimtar i misionit të ODHIR do të jetë 5 javë pas përfundimit të zgjedhjeve, në të cilin do përfshihen dhe rekomandimet përkatëse.“Misioni do nxjerrë një raport të ndërmjetëm për tre javë, një ditë pas zgjedhjeve do mbahet konferenca për shtyp me raportin paraprak. Do qëndrojmë deri në mesin e korrikut për të ndjekur situatën paszgjedhore në vend dhe 5 javë pas përfundimit të zgjedhjeve do të publikohet raporti përfundimtar dhe në të do përfshihen rekomandimet. Roli i ekipit tonë ka të bëjë me aspektin vëzhgues dhe jo për të ndërhyrë në procesin zgjedhor, nuk jemi albitra zgjedhorë. Puna jonë është e bazuar mbi parimet paanësisë, e gjithë kjo do drejtojë punën tonë. Kemi pasur bashkëpunim të mirë me Shqipërinë në zgjedhjet e mëparshme, shpresojmë edhe për këtë proces” u shpreh ekspertja amerikane.E pyetur nga gazetarja e Ora News për ngërcin e krijuar në KQZ, Conny McCormak, tha se është në dijeni të problemit, por s’mund të bëjë një koment pa bërë vëzhgime të mëtejshme.Ndërkohë që ekipi i ODIHR-it kryesohet nga zonja McCormack e cila njihet për angazhimin mbi 25-vjeçar dhe ka spikatur në çështjen e regjistrimit dhe verifikimin e votuesve, përfaqësuesi i ekipit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, është parlamentari slloven Roberto Battelli.Më herët misioni i ODIHR-it u takua me ministrin e jashtëm Aldo Bumçi dhe anëtarët e KQZ-së.Në takimin me ekipin e ODIHR-it, ministri Bumçi shprehu vlerësime për rolin e veçantë që luan ODIHR, me anë të instrumenteve të monitorimit, në ruajtjen dhe forcimin e sistemit demokratik të shteteve anëtare, duke respektuar kriteret themelore të demokracisë, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut.
Ai vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm mes ODIHR-it dhe Qeverisë Shqiptare, si dhe falënderoi znj. McCormack për reagimin në përgjigje të kërkesës që Qeveria shqiptare u ka drejtuar organizmave ndërkombëtare, OSBE/ODIHR-it, KiE-së, si dhe shteteve pjesëmarrëse të këtyre organizatave, për të dërguar numrin më të madh të mundshëm të vëzhguesve.Ndërsa Znj. McCornack, pasi falënderoi për ftesën dhe bashkëpunimin e Qeverisë shqiptare bëri një prezantim të ekipit të Misionit të vëzhguesve të ODIHR-it të përbërë nga analistë politikë, ligjorë dhe zgjedhorë të ODIHR-it, të cilët i paraprijnë ardhjes së vëzhguesve afatshkurtër në Shqipëri.