Vrau 15-vjeçarin pas video game në internet, gjykata “arrest me burg” për Xhulio Lekën
Gjykata e Durrësit lë në burg 18-vjeçarin, Xhulio Leka. Në seancën gjyqësore të zhvilluar sot për caktimin e masës së sigurisë ndaj të akuzuarit për vrasjen e 15-vjeçarit, Fatos Daçi, togat e zeza dhanë masën arrest me burg për të pandehurin.Ngjarja ka ndodhur ditën e hënë rreth orës 12:45, në Plazhin e Durrësit, në sektorin “Iliria”, pas një sherri për motive banale në një qendër interneti.Viktima dhe autori 18- vjeçar po luftonin virtualisht me armë në një video game në internet, por pasi kanë dalë jashtë, vrasja është bërë realitet. Policia e Durrësit bëri të ditur se Fatos Daçi, 15 vjeç, humbi jetën pasi është qëlluar me thikë në zemër nga shtetasi Xhulio Leka.Dëshmitarë në vendin e ngjarjes i pohuan grupit të hetimit se adoleshentët kanë debatuar ashpër dhe janë fyer me njëri-tjetrin në një pikë interneti që ndodhej në mes të lagjes. Pasi kanë dalë prej saj, ata janë përplasur sërish në rrugë. 18-vjeçari Xhulio Xheka ka nxjerrë thikën që e mbante të fshehur në rroba dhe e ka qëlluar në zemër shokun me të cilin pak minuta më parë po luanin bashkë.Kalimtarë të rastit e kanë transportuar menjëherë për në Spitalin e Durrësit viktimën, por ai ndërroi jetë pak minuta pas mbërritjes. Mjekët thanë se 15- vjeçari kishte humbur shumë gjak dhe se thika i kishte prekur organin jetësor. Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërriti policia. Ata identifikuan dhe arritën të arrestonin në një kohë mjaft të shpejtë autorin, i cili, siç mësohet, ka pranuar krimin e rëndë.