Portal për patentat online, Berisha: Shërbime më të mira për qytetarët, transparencë

Kryeministri Berisha ka përsëritur angazhimin e qeverisë për shërbime gjithnjë e me të mira për qytetarët.Ndërsa ka folur gjatë ceremonisë së përurimit e shërbimit të dytë për qytetarët “e-Patenta”, kryeministri garantoi se në 4 vitet që vijnë do të bëhen të gjitha përpjekjet dhe do të ndërmerren të gjitha reformat që administrata, të funksionojë tërësisht dhe kryekëput me teknologji dixhitale.“Ne i kemi të gjitha mundësitë për të shndërruar Shqipërinë në 4 vitet që vijnë në një vend lider në rajon dhe unë i garantoj ata se qeveria do tu japë mbështetjen më të fuqishme ne realizimin e këtij projekti ambicioz” tha kryeministri.Shefi i qeverisë shtoi më tej se 4-vjeçari që vjen do të jetë 4 vjecari i ridimensionimit të madh të teknologjisë së informacionit, përdorimit të saj në Shqipëri.“Ambicia jonë është e madhe. Ne synojmë Shqipëria vend lider në rajon, në këtë fushë. Këtë projekt ambicioz e bazojmë së pari në arritjet që kemi patur gjatë këtyre viteve. Ne jemi vendi që shënuam arritje më të shpejta në këtë fushë dhe po të kemi parasysh në vitin 2006 përdorimi i internetit ishte ndër më të ulëtit në botë, 4.8 %. Ne kapërcyem këtë prapambetje dhe sot jemi të mirë vendosur, por ne nuk mund të kënaqemi me këtë. Sot ne inauguruam një sukses, inauguruam një ndryshim të madh, një ndryshim nga praktika manual në praktikën dixhitale” shtoi kryeministri.