Degert: Nuk ka shumë kohë për planin e zbatimit
Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Vincent Degert, ka deklaruar se nuk ka shumë kohë për zbatimin e planit të marrëveshjes për normalizim të raporteve ndërmjet Serbisë e Kosovës, që është arritur më 19 Prill në Bruksel.“Në këtë moment është vështirë të jepen çfarëdo parashikimesh për finalen e diskutimeve për datën në Këshillin e Evropës, në fund të muajit qershor, por koha po kalon dhe të dy palët duhet të bëjnë përpjekje maksimale që sa më parë të arrihet kompromisi”, i tha Degert gazetës Veçernje Novosti.Ai ka kujtuar se me të gjitha marrëveshjet e mëparshme, që janë arritur në dialog, ka pasur probleme kur zbatoheshin.“Por, gjithmonë janë gjetur zgjidhje, në mënyrë që marrëveshjet të zbatoheshin në praktikë. Jam i bindur se kështu do të jetë edhe tani dhe nëse ekipet për zbatimin e marrëveshjes së Beogradit dhe Prishtinës, nuk arrijnë të pajtohen për planin e implementimit, ndoshta do të jetë i nevojshëm arbitrazh shtesë, në nivel më të lartë politik” shtoi ai.Më 19 prill, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, që u siguron serbëve në komunat veriore përgjegjësi në fushën e policisë dhe gjyqësisë dhe një shkallë të lartë autonomie në shumë fusha. Por përfaqësuesit e serbëve në atë zonë kundërshtojnë marrëveshjen që sipas tyre, i detyron ata të veprojnë në kuadër të institucioneve të shtetit të Kosovës, që ata nuk e njohin.Marrëveshja është mbështetur nga diplomacia euro perëndimore e cila e sheh atë si një hap të të dyja vendeve drejt integrimeve evropiane. Komisioni Evropian miratoi propozimin që Serbisë t'i jepet data e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës ajo e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.Por, vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për këtë çështje që do të merret në fund të muajit qershor, varet nga zbatimi i marrëveshjes ndërmjet dy vendeve.