Skënderbeu vijon festën në Korçë
Superliga Shqiptare ka mbyllur siparin e sezonit 2012/13 të Shtutën kur në Kukës Skënderbeu u shpall për herë të tretë radhazi kampion i Shqipërisë, ndërsa vendasit nënkampion për herë të parë në histori. Festa e dorëzimit të titullit e organizuar në stadiumin “Zeqir Ymeri”, ishte inkandeshente por ajo nuk ka përfunduar aty.Pasi festuan në Kukës festa e kampionëve të Shqipërisë u shvendos në Korçë, aty ku i gjithë stafi e ktheu pasditen e djeshme në ambient krejtësisht festiv. Kjo, sipas presidentit Takaj, ishte festa e vërtetë për kampionët, të cilëve për fat të keq u është dashur ta festojnë titullin tre vjet në transfertë. Festa nisi me një hapësirë muzikore. Këngëtarët më në zë të Shqipërisë, mbushën skenën me paraqitjet e tyre, megjithatë kulmi nuk kishte mbërritur gjer në momentin e mbërritjes së kampionëve. Ata kanë improvizuar edhe njëherë ngritjen e kupës, por tashmë nga zemra e qytetit. Me gjithë reshjet e shiut, pjesëmarrja e tifozëve ka qenë mjaft e madhe. Pedonalia e qytetit ishte mbushur plot e përplot, saqë një stadium i tërë vështirë se do ta përballonte këtë ngarkesë. Festa ka vijuar përreth dy orë në qendrën e qytetit, ku ekipi ka ngritur për të disatën herë trofeun. Dhe në fund gjithçka është mbyllur me një premtim të presidentit, i cili ka theksuar se pavarësisht shprehjes që thotë "e treta, e vërteta", ata do të përgatiten të rrëmbejnë titullin e katërt.Skuadra do të përpiqet të ruajë kontigjentin ndërsa në merkaton e verës pritet të bëhen disa përforcime të reja të cilat do ti shërbejnë skuadrës për mbrojtjen e titullit kampion. Sezoni i ardhshëm pritet të ketë një rivalitet më të lartë dhe kampionët janë të vetëdishëm për këtë fakt.