Samiti për klandestinët, liderët e BE në përpjekje për të unifikuar qëndrimin
Udhëheqësit e Bashkimit Europian kanë nisur në orët e pasdites samitin e jashtëzakonshëm në Bruksel, me qëllim arritjen e marrëveshjes me Turqinë, e cila do ti jepte një zgjidhje krizës së klandestinëve që ka pushtuar Europën.Me herët gjatë ditës Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se më shumë se optimist, do të ishte i kujdesshëm ", ku 28 liderët e BE-së kanë për qëllim të krijojnë një qëndrim të përbashkët para takimit me kryeministrin turk Ahmet Davutoglu të premten.Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh optimiste për marrëveshjen.“Me siguri bisedimet do të jenë intensive, por duhet të gjejmë një ekuilibër interesash ndërmjet vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Turqisë. Por që kjo të ndodhë ne duhet të arrijmë në një opinion unanim mes vetes tonë, pra mes 28 vendeve, pastaj me Turqinë. Por besoj se do të jetë e mundur dhe jam e vetëdijshme për këtë”.Thuajse në një linjë me Merkel, presidenti francez François Hollande tha se vetëm uniteti sjell zgjidhje të situatës.“Ne jemi të vetedijshëm se duhet të japim një përgjigje të përbashkët. Nëse Franca dhe Gjermania nuk janë të bashkuara, atëherë në dinaminën europiane do të mungojë forca. Duhet të jemi të bashkuar për të siguruar një përgjigje të përbashkët”Kurse kryeministri britanik, David Cameron ka ruajtur qëndrimin e tij të bërë publik prej kohësh, duke u shprehur se si pjesë jo integrale e Shengenit, nuk do të lejojnë qasje pa viza për qytetarët turq.“Për shkak të kontolleve tona kufitare sepse nuk jemi pjesë e Shengenit, nuk do të afrojmë qasje të lirë për turqit, si pjesë e kësaj marrëveshje. Ne do të ruajmë politikat tona të emigracionit”.Kreu i vendit që po përballet me fluksin më të madh të klandestinëve, Greqisë, Aleksis Tsipras u shpreh:“Unë pres që sot të merret vendimi për të ndihmuar Greqinë në këto rrethana vërtet të vëshrira, veçanërisht në kufijtë tanë veriorë, në Idomeni. Ne po përballemi me një krizë humanitare si pasojë e mbylljes së rrugës ballkanike dhe mendoj se kjo është e turpshme për një kulturë të përbashkët dhe ne duhet të marrim një vendim për të kaluar këtë situatë”.Sipas planit, Turqia do të marrë mbrapsht të gjithë emigrantët e bllokuar në Greqi për t'i rishpërndarë këta të fundit në vendet europiane, kur situata të jetë disi më e stabilizuar. Në këmbim të kësaj mase, Ankaraja do të marrë 6 miliardë euro si dhe liberalizimin e vizave për qytetarët brenda muajit qershor të këtij viti.