Gjoba për tregtuesit dhe mjekët që afishojnë reklama të produkteve të gatshme për foshnjat
A ju ka ndodhur të shkoni në farmaci dhe të shihni reklama me ushqime të gatshme për të ushqyer foshnjat tuaja? Ka një ligj që e pengon këtë, por ai nuk zbatohet. Qeveria i jep prioritet ushqyerjes me gji të foshnjave dhe për këtë është hartuar edhe projektligji i ri. Nisma ligjore është depozituar në Parlament dhe synon rifreskimin e ligjit të mëparshëm të miratuar në vitin 1999.“Qëllimi i këtij projektligji është të kontribuojë për sigurimin e një ushqimi të sigurt, të përshtatshëm dhe të mjaftueshëm për fëmijët, nëpërmjet mbrojtjes dhe nxitjes së ushqyerjes me gji, si dhe sigurimin e një përdorimi të drejtë të zëvendësuesve të qumështit të gjirit, kur këta janë të nevojshëm, mbi bazën e një informacioni të përshtatshëm dhe nëpërmjet tregtimit dhe shpërndarjes së duhur të tyre”, thuhet në relacion.Në relacionin e ligjit theksohet se ndryshimet bëhen për shkak të monitorimeve në vend, ku vihen re shkelje të shumta të ligjit në disa fusha kryesore. Disa prej shkeljeve janë si më poshtë:- Reklama për publikun, në pikat e shitjes, dyqane e farmaci;- Shkelje të etiketave të produkteve, dhe sidomos promocion në sistemin shëndetësor. Pavarësisht ekzistencës së ligjit, kompanitë e kanë shkelur atë në mënyrë të vazhdueshme, dhe kanë gjetur taktika për të anashkaluar detyrimet ligjore që ato duhet të zbatojnë.Pas rinovimit dhe ngritjes së Inspektoratit Shtetëror të Shëndetit, me struktura të reja dhe frymë të re për zbatimin e ligjit, u krye një inspektim në shkallë të gjerë në gjithë qarqet e vendit, ku u vunë re këto shkelje të ligjit:Shitje produkti/esh pa etiketë në shqip.Kjo ndodhte kryesisht në rrjete supermarketesh që bëjnë import direkt të produkteve dhe jo nëpërmjet distributorit të autorizuar dhe në zonat pranë kufirit ku shiten produkte të sjella nga vetë shitësit.-Vendosje etiketash në pozicione të ndryshme në kuti dhe me madhësi shkronjash të ndryshme.-Teksti i etiketës i ndryshëm në produkte të ndryshme.-Vendosja e etiketës bëhej në shumicën e rasteve në pikën e shpërndarjes pas hyrjes së produktit në Shqipëri.-Në pika të ndryshme shitjeje dhe në qendra shëndetësore e maternitete publike dhe jopublike u vu re prania e paketave promocionale që reklamonin në mënyre direkte ose indirekte produkte të një marke të caktuar.Në fasadat e jashtme të disa farmacive ishin të vendosura reklama promovuese të një marke të caktuar.-Ka një rast promovim/reklamimi në TV të një produkti të caktuar.Pas këtyre studimeve të kryera nga Ministria e Shëndetësisë dhe organizata jo qeveritare si UNICEF, janë vënë re boshllëqe në nene të ndryshme të ligjit ekzistues, sidomos në fushën e etiketimit të produkteve, masa e ulët e gjobave referuar shkeljeve të ligjit, si dhe mungesa e akteve nënligjore në zbatim të neneve të ligjit.Ndryshimet e reja ligjore parashikojnë gjobë ndaj prodhuesve dhe shitësve nga 100 000 deri në 200 00, e në disa raste mund të hiqet edhe licenca.Ndërsa për punonjësit e shëndetësisë që punojnë në institucione publike ose private shkeljet dënohen me gjobë deri në 50 000 lekë e në rast përsëritje largim nga detyra.Në nenin 11 të projektligjit të ri, pika 1 e tij riformulohet si më poshtë: “Prodhuesit dhe shpërndarësit e produkteve të caktuara nuk lejohen të prodhojnë ose të shpërndajnë materiale informative ose edukative për ushqyerjen e foshnjës dhe fëmijës përfshirë edhe informacionet që i adresohen publikut të gjerë”.Ligji thekson se përmbajtja e materialeve informuese për ushqyerjen e foshnjës bëhet me urdhër të ministrit të Shëndetësisë. /Ora News/